Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka qenë i pranishëm në takimet elektorale të kryetarit të PS-së, Edi Rama, u është drejtuar me një letër të personalizuar familjave të kryeqytetit.
Ai u drejtohet me një kërkesë banorëve, të votojnë Edi Ramën më 25 qershor, sepse vetëm në këtë mënyrë do të kenë një mbështetje më të madhe, për projektet që e presin Tiranën.
Pasi rendit arritjet e Bashkisë së Tiranës në dy vjet drejtim, ai tregon në letër se çfarë ndryshimesh pozitive e presin kryeqytetin në vijim. Kryebashkiaku rendit këtu ndërtimin e 17 shkollave të reja, hapjen e Bulevardit të Ri, Pyllin Orbital, Kopështin Zoologjik dhe Botanik, Terminalin Perëndimor dhe Unazën e Madhe.
“Me Edi Ramën kryeministër ne do të ndërtojmë 17 shkolla të reja, për t’i dhënë fund mësimit me dy turne. Do të hapim Bulevardin e Ri në të gjithë gjatësinë e tij prej 1.7 kilometrash, duke sjellë zhvillim ekonomik dhe duke hapur mijëra vende të reja pune. Do të përfundojmë Pyllin Orbital, i cili me mbi 2 milionë̈ pemë të mbjella do të jetë jo vetëm një park i jashtë̈zakonshëm për qytetarët, por edhe mushkëria e gjelbër e Tiranës.
Do të ndërtojmë Terminalin Perëndimor dhe Unazën e Madhe, duke i dhënë një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë problemit të qarkullimit në Tiranë. Për të rinjtë do të transformojmë̈ Piramidën në një qendër moderne kulturore, kurse për fëmijët do kemi edhe një Kopsht Zoologjik e Botanik, më të bukurin në rajon, e plot të tjera që presin mbështetjen e qeverisë.
Por, që ta kemi këtë mbështetje sa më të madhe, e keni në dorë ju! Sepse në datën 25 Qershor ju do të votoni jo vetëm për Shqipërinë që duam, por edhe për këto projekte të mëdha e për të ardhmen e punëve tona për Tiranën që duam.”, shprehet Veliaj.
(XH.A/SHUPLAKA)