23 qershori shënon ditën e fundit për partitë politike që të zhvillojnë fushatat elektorale përmbyllëse të tyre, një ditë përpara heshtjes zgjedhore që do të paraprijë zgjedhjet e 25 qershorit.
E teksa koha është e kufizuar, partitë politike, të mëdha e të vogla, kanë pasur programe të ngjeshura. Një ditë më parë, u zhvilluan tri mitingje, dy në Tiranë, nga PS dhe LIBRA, e një në Durrës nga LSI.
Po tre do të zhvillohen edhe ditën e sotme, nga tri partitë kryesore politike. Sikundër kanë paralajmëruar, fushatat do jenë të përqëndruara në Vlorë, Tiranë dhe Fier.
Partia Socialiste do të zhvillojë një miting përmbyllës në qytetin e Vlorës, aty ku kreu i PS-së, Edi Rama, kandidon për deputet të këtij qarku.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike do të qëndrojë në kryeqytet, për të përmbyllur fushatën elektorale përpara zhvillimit të zgjedhjeve. Lulzim Basha ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen në orën 19:00 përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim me në krye Petrit Vasilin, ka zgjedhur qytetin e Lezhës për të zhvilluar mitingun përmbyllës që do të nisë në orën 19:00.
(XH.A/SHUPLAKA)