Dy ditë përpara zgjedhjeve, KQZ në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme bënë me dije se çfarë konsiderohet vepër penale në zgjedhje dhe se me sa vite burgim dënohet.
Nga ofrimi dhe dhënia e të hollave tek premtimi për vende pune, nga fotografimi i votës tek përdorimi i dokumentit të identifikimit, janë disa prej veprave penale, ku burgimi varion nga 1-7 vjet.
“Të nderuar zgjedhës dhe komisionerë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme janë të vendosur të parandalojnë dhe ndëshkojnë me forcën e ligjit çdo veprim që cenon sadopak zgjedhjet demokratike.
Kujdes! Për të garantuar standardet e procesit, tregoni përgjegjshmërinë tuaj qytetare. Votoni me vullnetin tuaj të lirë dhe denonconi çdo shkelje të ligjit zgjedhor nga kushdo që do ta tentojë atë”, citohet në spotin publicitar mbi zgjedhjet e 25 qershorit.
Veprat penale/Vitet burgim
- Ofrimi ose dhënia e të hollave/të mirave materiale – 1-5 vjet burgim
- Premtimi për vende pune ose favorizimi në këmbim të votës – 1-5 vjet burgim
- Kërkimi ose pranimi nga zgjedhësi i të hollave/ të mirave materiale në këmbim të votës – 1-5 vjet burgim
- Fotografimi ose filmimi i votës dhe shfaqja e tyre personave të tjerë – 3 muaj – 3 vjet burgim
- Nxitja ose detyrimi i zgjedhësit për të fotografuar ose filmuar votën 1 – 4 vjet burgim
- Dhënia e dokumentit të identifikimit për t’u përdorur në mënyrë të paligjshme për zgjedhje – 1-3 vjet burgim
- Marrja e dokumentit të identifikimit shtetasve të tjerë për ta përdorur në mënyrë të paligjshme për zgjedhje – 1-5 vjet burgim
- Falsifikimi i fletëve të votimit ose dokumenteve zgjedhore – 1-7 vjet burgim
- Votimi më shumë se një herë, me dokumente identifikimi të tjerë ose për persona të tjerë – 1-3 vjet burgim
(XH.A/SHUPLAKA)