Kreu i KQZ-së Klement Zguri iu ka bërë thirrje qytetarëve që nesër të marrin pjesë në votime dhe të shprehin të drejtën e tyre kushtetuese.
“Shqiptarët të marrin pjesë në votime dhe të shprehin të drejtën e tyre kushtetuese. Ka nisur shpërndarja e materialeve zgjedhore. Procesi zgjedhor është më i rëndësishëm se çdo parti. KQZ ka mbyllur punën përgatitore për zgjedhjet. Nuk do të lejojmë të cënohet vota. Subjektet politike të respektojnë heshtjen zgjedhore”, u shpreh kreu i KQZ-së.
Ndër të tjera kreu i KQZ tha se kush ushtron presion ndaj zgjedhësve do ndëshkohet me forcën e ligjit.
“Presioni ndaj zgjedhësve dhe ndikimi i paligjshëm që pengon votuesit është dhunim i kodit zgjedhor dhe sjell pasoja duke u ndëshkuar. U kërkoj institucioneve ligjzbatuese t’u kushtojnë vëmendje zgjedhësve. Sa më e madhe pjesëmarrja në zgjedhje, më e madhe demokracia. Të gjithë zgjedhësit të marrin pjesë në votime masivisht dhe të ushtrojnë të drejtën e votës”, tha Zguri.
Ditën e nesërme 3.45 milionë shqiptarë pritet t’i drejtohen kutive të votimit dhe janë 5 mijë vëzhgues në terren. (J.V/Shuplaka)