Një person është arrestuar dhe një tjetër është proceduar në gjendje të lirë në qytetin e Korçës. Kjo pasi ata akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje”.
Duhet thënë se gjatë ditës së djeshme nuk qenë të pakta rastet e denoncimit për blerje të votave nga ana e subjekteve politike.
NJOFTIMI:
Arrestohet në flagrancë një shtetas, si edhe procedohet penalisht në gjendje të lirë një tjetër, për veprën penale:“Korrupsioni aktiv në zgjedhje”. Specialistët e Sektorit kundër Krimit Ekonomik-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit :
- Pajtim Myrtollari, 55 vjeç, banues në Korçë, (me detyrë specialist pranë Drejtorisë së Peshkimit Korçë, koordinator i një subjekti politik )
Arrestimi i tij u bë pasi më datë 25.06.2017 ky shtetas, është kapur duke shpërndarë shuma lekësh me qëllim blerjen e votës, deri në 200.000 lekë për një subjekt të caktuar politik. Gjithashtu po nga këto struktura filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit:
- R.D, 61 vjeç, banues në Korçë (me detyrë koordinator i një subjekti politik) Procedimi ndaj tij filloi pasi, më datë 25.06.2017, këtij shtetasi në lagjen nr 6 në Korçë, në automjetin e tij me targa AA240KI, i janë gjetur e sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi prej 170.000 lekësh të cilat dyshohen se do përdoreshin për pagesat e zgjedhësve dhe komisionerëve të këtij subjekti. Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë lidhur me veprën penale: “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.
(E.K/SHUPLAKA)