Në mesnatën e së premtes reth orës 00:23 persona të paindentifikuar kanë vendosur lëndën plasëse në bar-restorantin në pronësi të M.V , 41-vjeç, banues në fushë Kruje.
Në Njoftimin e policisë thuhet :
“Mesnatën e së premtes, rreth orës 00:23, Policia ka marrë njoftim se në Krastë, në pjesën hyrëse të lokalit barrestorant në pronësi të shtetasit M.V., 41 vjeç, banues në Fushë-Krujë, kanë vendosur dhe ka shpërthyer një sasi lënde plasëse. Nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet policore.”
Mësohet se në momentin e shpërthimit nuk ka pasur persona pranë objektit, ndërsa autorët kanë përfituar nga errësira për të kryer shpërthimin dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur.
Ekspertët antieksplozivë dolën në konkluzionin se lënda plasëse e përdorur për shpërthimin është e llojit tritol. Sipas tyre, është përdorur një sasi e vogël tritoli, rreth 100 gramë, i cili ishte vendosur në pjesën hyrëse të lokalit barrestorant në pronësi të ishdrejtorit të ALUIZNI-t në Krujë.
Për pasojë janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, si vetrata e xhamit dhe një pjesë e ambientit në brendësi. Për të zbardhur ngjarjen dhe identifikuar autorët, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po heton në drejtime të ndryshme.
Burime të Policisë bënë të ditur se 41-vjeçari ka deklaruar përpara hetuesve se nuk ka dijeni se kush mund të jenë autorët dhe se nuk ka konflikte të hapura me persona të tjerë.
“Nuk mund t’ia vë gishtin asnjë personi për shpërthimin në pronën time. Nuk kam pasur probleme dhe konflikte me persona të tjera, as sot dhe as më herët. Kërkoj nga policia të zbardhet ngjarja, të identifikohen dhe arrestohen autorët”, është shprehur Voga.
Biznesmeni është punonjës në drejtorinë e ALUIZNI-t në Krujë, ai shprehet se nuk ka konflikte, ekspertët mendojnë se shpërthimi ka të bëjë me detyrën e tij kur ishte drejtor i ALUIZNI-t apo edhe tani që mban pozicionin e specialistit pranë këtij institucioni.
Policia ka shoqëruar mbi 10 persona në ambientet e Komisariatit Krujë dhe në postën e Policisë në FushëKrujë, si të dyshuar apo që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen apo konfliktet e mundshme me pronarin e barrestorantit që iu vendos lëndë plasëse.
(S.SH/Shuplaka)