Humbja e Partisë Demokratike në këto zgjedhje ishte mjaft e thellë. Vetëm 43 mandate, që PD nuk i ka marrë as në ditët e saj më të këqija.
Gjatë ditës së sotme të shumtë ishin ata demokratë që kërkuan dorëheqjen e liderit të PD-së Lulzim Basha, mirëpo ai deklaroi se nuk pranonte ta jepte dorëheqjen.
Mirëpo si e kanë komentuar gazetarët dhe analistët humbjen e Bashës, apo vendosmërinë e tij për të mbetur në krye të partisë?
Duke filluar nga Lubonja, i cili mendon se Basha duhet të japë dorëheqjen, për të vazhduar me Abilekajn që po ashtu fajëson Bashën për humbjen, e deri tek Hila, ku qëndrimi është po i njëjtë, duket se Basha do të përballet me shumë kritika në vazhdim. Në të rrallë gjen ndonjë reagim pro kryedemokratit.
FATOS LUBONJA
Analisti Fatos Lubonja i ftuar tek ‘Studio e Hapur’ në lidhje me situatën politike por dhe me deklartën e kreut të opozitës Lulzim Basha, Lubonja ka thënë se se dorëheqja e Bashës do të ishte një akt emancipimi për Partinë Demokratike.
“Dorëheqja do të ishte një akt emancipues për Partinë Demokratike. Ngrirja e funksioneve është një akt fals. Është një lojë e ngriva-shkriva. Ata nuk bënë asnjë analizë për humbjen”, u shpreh Lubonja.
SOKOL SHAMETI
Sokol Shameti kujton rezultatet e zgjedhjeve të 2013-ës, ku PS me të njëjtin numër votash, mori 65 deputetë. Pra 9 deputetë më pak.
“Me 750 mijë vota mori 65 deputetë para 4 vjetësh. Me 750 mijë vota mori 74 sivjet. Dhe mburret sikur ka ndonjë meritë vetë.”, shkruan Shameti.
ARTAN FUGA
Profesori i njohur Artan Fuga i ftuar në studion e Ekopolikë nga Aurora Sulçe në Ora Neës, komentoi deklaratën e sotme të Lulzim Bashës, duke thënë se Basha nuk mund t’i ikë gjykimit të demokratëve.
“Vura re që kundërshtarët e tij dhe ata që kërkuan dorëheqjen ishin më të shpejtë. Ata sigurisht prisnin një deklaratë të z.Basha. Pra ka pasur një luftë kohe, minutash për të marrë iniciativën përpara opinionit publik që për mua do të ketë një përplasje të brendshme dhe ajo që më bën përshtypje tek zt.Basha që thotë se unë nuk do të iki. Natyrisht, ai s’ka ku të ikë sepse është deputet tani dhe nuk ka ku të shkojë. Ideja është që nuk mund t’i iki gjykimit të demokratëve.
Z.Basha thotë që gabimet e mia nuk do t’i gjykoj unë. Natyrisht, njeriu gjykon gabimet e veta. Kur thotë nuk do t’i gjykojnë ata që humbën kolltuqet, ata kanë të drejtë t’i gjykojnë. Kur thotë që i gjykojnë demokratët, krijon një person fizik pa këmbë dhe pa kokë që qëndron si Zoti për të gjykuar. Kjo është e pamundur. Për mendimin tim nuk do të ketë një gjykim si në trupin gjykues, por do të ketë një përplasje në raport forcash dhe Basha duhet ta di mirë këtë.”, tha Fuga.
ENTON ABILEKAJ
Gazetari Enton Abilekaj, i ftuar në studion e Ekopolikë nga Aurora Sulçe në Ora Neës bën përgjegjës Lulzim Bashën për humbjen e zgjedhjeve nga ana e opozitës.
“Lulzim Bashës i mungojnë 280 mijë vota. Të thuash se ma ka fajin blerja e votës, kjo nuk është justifikim. Ne këtu kemi një opozitë që humbet vota dhe një mazhorancë që ka më shumë vota. Ia kanë marrë votat partitë e tjera. PDIU për shembull në Dibër ia ka marrë votat Partisë Demokratike. Ashtu siç ka ndodhur në Elbasan. Lulzim Bashës i kanë ikur dhe për këtë duhet të mbajë përgjegjësi.
Në qoftë se faktohet blerja e votës, një nga përgjegjësit është Lulzim Basha, sepse ministri i Brendshëm është i Lulzim Basha. Ai na futi në zgjedhje me garancinë se ministri i Brendshëm dhe ministra të tjerë do ta evitonin blerjen e votës. Ne i thamë se nuk e garantojnë votën. Nuk mund të shkosh si cjapi te kasapi. Duhet të mbajë përgjegjësinë edhe për këtë vendim, ashtu sikurse duhet të mbajë përgjegjësi për shkelje të rëndë të statutit.
Thotë ata që humbën karriget sepse këta që bënë sot peticionin, nuk i humbën karriget se u votuan në PD dhe dolën humbës. Këta i humbën karriget në një natë kur Lulzim Basha bëri listat dhe i çoi të paplota në KQZ.”, u shpreh Abilekaj.
DRITAN HILA
Analisti dhe Gazetari Dritan Hila, thotë në një shkrim për “dritare.net” se fushata ishte e personalizuar dhe populiste, ndërsa fitorja i përket e gjitha Edi Ramës.
“Tani që fushata elektorale mbaroi, mund të nxirren disa përfundime mbi karakterin e saj dhe pasqyrimi në të ardhmen e vendit, veçanërisht për fituesin e saj Edi Ramën.
Kjo ishte një fushatë e personalizuar e tij e cila u përqëndrua e gjtha mbi figurën e Edi Ramës. Ndaj fitorja i përket e gjitha atij.
Ishte një fushatë e gjitha populiste, e pashembullt në asnjë vend të Evropës ku kandidati prezantohej gjithandej me tuta dhe fanela të personalizuara. Nuk u prezantua asnjë program konkret dhe filli përshkrues ishin batuta të tij me dëgjuesit. E gjitha kjo çuditërisht funksionoi.
Partia Socialiste tashmë është e gjitha një mekanizëm në duart e tij dhe sipas shijeve të tij. Do të jetë kështu derikur të dëshirojë Edi Rama.
Lista e deputetëve ishte e gjitha vendim personal i Edi Ramës, ku kriteri bazë ishte besnikëria ndaj tij. E kaluara korruptive apo kriminale e disa elementëve, nuk ndikoi fare në përzgjedhjen nga ana e tij. Kush nuk mundi të kandidonte personalisht për shkak të kaluarës kriminale dhe presionit ndërkombëtar, kandidoi nën sigla të tjera personalisht ose të afërmit e tij.
Ajo që shpalosi Edi Rama gjatë fushatës në debatet me gazetarët, ishte sigurimi i elektoratit se do të vazhdojë politika e koncesioneve, rilindja urbane, importi i plehrave, dhe shumë politika për të cilat u kritikua gjatë mandatit të shkuar. Kush shprehet tani se ai duhet të lexojë me kujdes votën, ose është budallepsur ose fshihet pas gishtit. Rama e ka lexuar më së miri votën dhe ajo i thotë që ka pasur të drejtë. Të paktën shumica e votuesve që u paraqitën në kutitë e votimit i ka dhënë Carta Bianca për katër vitet që vijnë.
Edi Rama u votua vetëm nga trupa e militantëve socialistë, por një PD e dobët i mundësoi rritjen e peshës së votës. Politika e bojkotit e ndjekur nga elementë të elaboruar të shoqërisë ose personazhe politikë, tregoi se jo vetëm që nuk e njohin sistemin dhe realitetin, por as janë kundërshtarë seriozë të Ramës.
Bëri përshtypje fakti se pavarësisht politikave të tij ultraliberiste, militantët e një partie që pretendon të jetë e majtë e votuan pa mëdyshje, çka tregoi se më shumë se parti ideologjike, PS, ashtu si çdo parti tjetër shqiptare, është një grupim njerëzish me interesa të cilat shkojnë nga ruajtja e vendit të punës (në bazë), koncesionet, monopolet apo trafiqet (në majë).
Si asnjëherë tjetër, asnjë zë i inteligjencës që e konsideron veten të majtë nuk e kritikoj atë për politikat e tij ultraliberiste dhe korruptive. Madje edhe kritikë sporadikë të tij gjatë katër vjetëve, bënë thirrje që të votohej. Kjo ishte një sinjal se inteligjenca shqiptare politikisht është në nivelin e elektoratit bazë i cili mendon nëpërmjet stomakut, dhe politikisht e ka ulur stekën e saj në banalitetin e përplasjeve me Berishën, Bashën apo Metën.
Në katër vitet që vijnë, Edi Rama do të zotërojë një shumicë e cila ka 78 vota. Kjo do ti mundësojë qeverisjen e qetë. Në rast nevoje, për reforma që do ti duhen për konsolidimin e pushtetit të tij, do të mund të sigurojë edhe shumicën me 84 vota me deputetë nga rradhët e kundërshtarëve, kryesisht PD.
Gjatë kësaj kohe është i rëndësishëm pasja e një opozite të fortë. Por mungesa e numrave të mjaftueshëm nga LSI e cila është një kundërshtar i motivuar dhe mungesa e eksperiecës politike nga trupa e re e deputetëve të PD dhe çorganizimi total i saj, flasin për një mot të mirë dhe detra të qeta në katër vjetët që vijnë për anijen e timonierit të PS.
Kush mendon se Edi Rama do të rrëzohet vetiu nga mbipesha e pushtetit që ka marrë, bën krahasimin e elefantit me mizën. Shqipëria është një bashki e një qyteti mesatar Evropian.
Kush mendon se do të rrëzohet për shkak të ekonomisë që nuk do të eci, e lexon në mënyrë shabllone historinë e popujve të tjerë dhe implementon në Shqipëri dhe interpreton atë vendçe. Shqiptarët nuk pëlqejnë përplasjet politike për shkak të ideve por ikjen, nuk kërkojnë ndryshimin e sistemit por përshtatjen me të, nuk përpiqen për përmirësimin e ekonomisë vendase por shkojnë ta gjejnë tjetërkund. Heqja e vizave është një ndihmesë e madhe për shfryrjen e tensioneve ekonomike dhe sociale në Shqipëri.”, shkruan Hila. (D.D/Shuplaka)