Udhëheqësit republikanë në senat vendosën të shtyjnë votimin e variantit të tyre për ligjin e kujdesit shëndetësor. Vendimi vjen pas një analize të pavarur që arrin në përfundimin se 22 milionë njerëz do të humbasin sigurimin shëndetsor gjatë dekadës së ardhshme nëse miratohej propozimi republikan.
Udhëheqësi i shumicës në senat Mitch McConnell u tha kolegëve të tij republikanë se ai do ta shtyjë votimin e planifikuar të kryhej këtë javë, deri pas 4 korrikut përvjetorit të pavarësisë së vendit.
Disa ligjvënës republikanë kishin bërë të ditur se nuk janë dakort me këtë projektligj, gjë që e detyroi senatorin McConnell të heqë dorë prej planit për ta hedhur në votë deri në fund të javës, përpara se ligjvënësit të largoheshin nga Uashingtoni për festën.
Kundërshtarët e ndryshimeve në ligjin shëndetësor thanë se plani republikan do t’i kushtonte shumë amerikanëve të varfër, disa të tjerë thonë se nuk përban ndryshime thelbësore të dispozitave kyçe të ligjit shtatëvjeçar të njohur gjerësisht si “Obamacare”, shkruan VOA. (M.D/Shuplaka)