Ish-ministri i Partisë Demokratike, Jemin Gjana, është një tjetër i zhgënjyer nga rezultati i Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 qershorit, teksa shprehet se i di arsyet e kësaj humbjeje dhe i njeh kritizerët që tanimë kërkojnë largimin e Bashës nga PD.
Në intervistën e dhënë për “Gazetën Shqiptare”, duke dalë në krah të Bashës, ai shkruan se ata që sot sulmojnë Bashën nuk duhet ta bëjnë për shkak se ky i fundit ndoqi të njëjtat praktika për zgjedhjen e kandidatëve, siç është bërë edhe vite me radhë në PD dhe siç kanë bërë vetë ata përmes pushtetit që kanë pasur për vite me radhë në PD.
Pasi rendit arsyet e humbjes së Partisë Demokratike, duke u ndalur tek 250 mijë të larguarit nga Shqipëria, por që sipas Gjanës është diçka që nuk varej nga PD, ai ndalet tek ajo që varet nga Partia Demokratike.
Sipas tij, edhe ata që u futën në zgjedhje dhe që bënë presion që PD të hynte, ishin ata që s’u panë në fushatë dhe që kërkuan që nga mbështetësit që të mos dilnin të votonin.
“Janë disa faktorë të tjerë që ishin në dorë të PD-së, njëri prej të cilëve është dilema e madhe, hyjmë apo nuk hyjmë në zgjedhje dhe të detyruar për shumë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm për të shkuar në zgjedhje pas një qëndrimi 3- mujor. Por, brenda pak ditësh nga presioni kryesisht amerikan, por edhe presioni brenda PD-së nga aktorë me peshë ndër vite në PD bënë që të hynin në zgjedhje. Mirëpo u futën në zgjedhje edhe ata që bënë presion që PD-ja të hynte në zgjedhje, ishin ata që nuk u panë asnjë ditë në fushatë dhe madje për fat të keq kërkuan tek mbështetësit e tyre që të rrinin në shtëpitë e tyre.
Po, u kanë kërkuar mbështetësve të tyre që mos të votojnë PD-në. Harruan se kjo nuk është një hakmarrje ndaj Lulzim Bashës apo një intimidim. Ishte një hakmarrje ndaj demokratëve, sepse demokratët e pësuan, sepse ra rezultati i tyre zgjedhor.”, shprehet Gjana.
I pyetur se kush konkretisht, ai preferon të mos japë emra, por që sipas tij “janë shumica e këtyre që u lanë jashtë listës së deputetëve”: Të mos them që ka pasur prej tyre që kanë hyrë në intelekucion me individë që kandidonin jashtë PD-së në struktura të tjera dhe që çështja ka shkuar deri në pazare.
(XH.A/SHUPLAKA)