Oerd Bylykbashi që drejtoi fushatën e demokratëve në Durrës thotë sot se ka arritur në një konkluzion të qartë: Në Shqipëri zgjedhjet nuk bëhen më me Kod Zgjedhor por me Kod Penal.
”Me çfarë Kodi?
Pas provave për shit-blerje vote, kartash identiteti, presionesh mbi administratën, intimidim të zgjedhësve nga banda kriminelësh të liruar nga burgjet para zgjedhjeve apo në pritje për t’u liruar pas zgjedhjeve, legalizime pronash kundër ligjit, shtrime rrugësh e investime të tjera në ditet para zgjedhjeve për të bindur 5 familje këtu e tre atje, e lloj-lloj paligjshmërish të tjera, pas 20 vitesh që merrem me zgjedhjet kam arritur në konkluzionin që:
Në Shqipëri zgjedhjet nuk bëhen më me Kod Zgjedhor por me Kod Penal.”, thekson Bylykbashi.
Bylykbashi ka dhe një mesazh për çfarë po ndodh brenda partisë së tij këto ditë që zgjedhjet për kreu janë shpallur.
”Për ata që do të komentojnë se nuk kemi humbur për shkak se u blenë votat por se nuk kishte struktura, u them që zgjedhjet në parti bëhen vetëm me Statut. Por mesa kam parë, asnjë nuk është kundër dhe të gjithë i referohen Statutit. Statuti është Libri i Rregullave që na mban të bashkuar si demokratë edhe kur kemi ide të ndryshme.”, thotë i prerë deputeti demokrat.
Partia Demokratike arriti të marrë vetëm 43 mandate, kundrejt 74 të PS-së dhe 19-të të LSI-së në zgjedhjet e 25 qershorit. Aktualisht është shpallur dita e zgjedhjeve për kreun e saj që do të jetë 22 korriku. Përballë Lulzim Bashës do të kandidojë Eduard Selami. Data 2 korrik është afati i fundit për pranimin e kandidaturave të tjera, ndërkohë që Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi kërkojnë dorëheqjen e Bashës. Ish-kryeministri Sali Berisha ka një qasje tjetër për zgjidhjen e situatës së vështirë që po kalojnë demokratët: bashkimi dhe heqja dorë nga përçarja dhe përjashtimi. (V.G/SHUPLAKA)