”Një listë kosovare për të drejtuar diplomacinë shqiptare”, kështu titullohet shkrimi i portalit ”Tirana Post”, ideja thelbësore e të cilit është hedhja për publikun e disa emrave të politikës dhe gazetarisë së Kosovës.
Po cilët janë ata? Portali, duke iu referuar burimeve pranë kryeministrit, shkruan se janë 4 kandidatë.
”I pari është Baton Haxhiu, gazetar dhe aktualisht drejtor i Klan Kosovës, mik i afërt i Edi Ramës. Vlora Çitaku, ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara është një tjetër alternativë që po mendohet seriozisht nga Edi Rama. Në listë është edhe Veton Surroi, gazetar, publicist dhe ish-deputet kosovar, ndërsa alternativë e mirë për diplomacinë shqiptare mund të jetë edhe Mimoza Kusari, për të cilën Rama prej kohësh ka një konsideratë të lartë. Ajo ka mbajtur postin e zëvendëskryeministres së Kosovës, ndërsa prej vitit 2013 atë të Kryetares së Komunës Gjakovë.”, thuhet në shkrim, duke sqaruar se Ditmir Bushati pritet të emërohet në krye të Ministrisë së Integrimit.
Për publikun në Shqipëri sigurisht më të njohurit janë Baton Haxhiu dhe Veton Surroi.
Baton Haxhiu, analist, mik i ngushtë i Edi Ramës ka mbështetur intensivisht Ramën për një mandat të dytë, kryesisht gjatë daljeve të tij publike në emisionin ”Opinion”.
Po kështu Veton Surroi ditën e sotme është shfaqur aktiv në analizën e fitores së Edi Ramës, teksa e quan një politikan të suksesshëm.
”Edi Rama ka katër vjet para vetes në të cilat mund të bëjë shumë transformime. Ndoshta transformimi më domethënës do të mundë të jetë ai prej politikanit të suksesshëm në burrë shteti.”, analizon Surroi.
A janë testime të opinionit publik shqiptar hedhja e këtyre emrave nga mediat, apo vërtet njëri prej tyre do drejtojë diplomacinë shqiptare?! (V.G/SHUPLAKA)
Nga lart majtas: Vlora Çitaku, Baton Haxhiu, Veton Surroi dhe Mimoza Kusari