Kryetari i partisë Zgjidhja, në fjalën e tij në Forumin e parë të Politikave, duke iu referuar deklaratës së OSBE/ODIHR-it, tha se këto zgjedhje nuk ishin aspak më të mirë se zgjedhjet e kaluara.
Sipas tij, zgjedhjet e 25 qershorit u blenë masivisht nga mafia e marijuanë dhe korrupsionit, nga ata njerëz të përfshirë në listat e deputetëve, në Policinë e Shtetit, në Administratën Zgjedhore dhe Publike, nga kriminelët.
“Fatin e zgjedhjeve të 25 qershorit e vendosën paratë e hashashit dhe të korrupsionit, blerja e mediave dhe pabarazia e pashembullt e aktorëve në zgjedhje, mbushja e kutive dhe vjedhja e votave, blerja dhe manipulimi i njerëzve të varfër e të pashpresë që janë shumicë absolute në këtë vend, përdorimi i administratës dhe burimeve shtetërore, kombinimi i shantazhit, kërcënimeve, ndëshkimeve me premtime, favore e privilegje të paligjshme nga qeveria.
Zgjedhjet e 25 qershorit nuk janë as të lira, as legjitime dhe as të pranueshme. Në këto kushte, qeveria e ardhshme, me shumë gjasa, do të jetë një qeveri e përbashkët e Rilindjes me PD-në. Shumica e Rilindjes dhe e satelitëve që ajo financoi të blejnë mandatet nën sigla të tjera, pavarësisht si është arritur përfaqëson vetëm 1/5 e zgjedhësve shqiptarë dhe nuk do të mund të prodhojë dot një qeverisje të përligjur e të gjithëpranuar. Ne nuk pajtohemi me këto zgjedhje dhe do të punojmë që, pas reformës zgjedhore, Shqipëria të shkojë në zgjedhje të parakohshme.”, tha Koço Kokëdhima.
Gjatë fjalës së mbajtur, Koço Kokëdhima akuzoi diplomatët e huaj se nuk mbështetën përpjekjete për pastrimin e këtyre zgjedhjeve, duke mbrojtur kështu sistemin e dështuar elektoral të Shqipërisë. Ai u bëri thirrje ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Europian, të OSBE-së dhe të vendeve të tjera mike të Europës në Shqipëri, që të ushtrojnë ndikimin e tyre mbi qeverinë dhe Kuvendin e ri të Shqipërisë dhe të mbështesin frontin e përbashkët të opozitës së re të vendit:
“Përpjekjet për të reformuar dhe pastruar zgjedhjet e vitit 2017 nuk u mbështetën nga diplomatët e huaj në Tiranë. Ata, qartazi, mbajtën anën e qeverisë dhe mbrojtën sistemin e dështuar e të korruptuar elektoral të Shqipërisë kur deklaruan se do të njihnin zgjedhjet e 18 qershorit pa PD-në dhe do të legjitimonin asgjësimin e plotë të saj. Nuk e dimë se si do të vinte rrjedha e historisë nëse Partia Demokratike do t’u qëndronte deri në fund kauzave që mbrojti në tre muajt e protestës. Këtë nuk mund ta thotë askush me siguri.
Unë dua t’u bëj thirrje ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Europian, të OSBE-së dhe të vendeve të tjera mike të Europës në Shqipëri, që të ushtrojnë ndikimin e tyre mbi qeverinë dhe kuvendin e ri të Shqipërisë dhe të mbështesin frontin e përbashkët të opozitës së re të vendit me objektivin që parlamenti i ri të fillojë punën që ditën e parë që do të mblidhet me reformimin e plotë e të thellë të sistemit zgjedhor. Duhet ta zgjidhim përfundimisht dhe plotësisht problemin e zgjedhjeve.”
(XH.A/SHUPLAKA)