Dje ishte afati i fundit që anëtarët e Partisë Demokratike kishin në dispozicion, për rregjistrimet në garën për kreun e kësaj force politike.
Në një kohë kur PD gjendet në një situatë të vështirë dhe po përçahet për shkak të rivaliteteve të theksuara mes anëtarëve të saj, gazetari Basir Çollaku i bën thirrje ish-kryeministrit Sali Berisha që të qetësojë ujërat.
Duke iu referuar kritikave dhe sulmeve mes anëtarëve të PD-së ndaj njëri-tjetrit, lidhur me gabimet e të shkuarës së rivalëve të tyre brenda partisë, Çollaku bën thirrje që kjo fushatë hapje kutish të së shkuarës të mos vazhdojë më. Sipas gazetarit, i vetmi që e ka në dorë ta bëjë këtë është pikërisht lideri historik i PD-së Sali Berisha.
“Mos të bëhet kjo fushatë hapje kutish të së shkuarës, rrëfime mëkatesh për të gjithë, sepse atëherë nuk do ndalojmë edhe shumë vite humnerën. Shenjtorët nuk janë në tokë. T
ë marrin pjesë në zgjedhje të bindin demokratët, t’i binden rezultatit, të përfitojnë kontribut sipas rezultatit, duke qenë gjithpërfshirës në drejtim të partisë, të vlerësojnë strukturat, t’i ringrenë dhe shëndoshin ata, e kështu të ngrenë PD-në në misionin e saj. Doktor tani është rradha juaj, që PD të mos hajë vetveten..”, shkruan Çollaku.
REAGIMI I PLOTË I ÇOLLAKUT
Doktor është rradha jote..
Doktor, është rradha jote të mos jesh neutral, as kontekstual, me zhvillimet kaotike në PD, por të jesh ndikues për paanshmëri në qëndrimet e gjithësecilit, duke marrë pjesë me praninë tënde rindërtuese të Partisë Demokratike, si faktor ADN-je i këtij subjetki. Dhe në ADN doktor siç ju e dini më mirë se gjithkush, gjendet gjithçka thuhet dhe nuk thuhet, për pacientët politikë. Humbja shkërmoqëse e zgjedhjeve të 25 qershorit, ka sjellë një trullosje mbi limitin e parashikuar në PD, kostoja e së cilës rritet si brenda dhe jashtë selisë së demokratëve.
Shifrat rrënuese kanë shenjestër kryesore Lulzim Bashën, i gjendur në një kryqëzatë të nxehtë, si humbës zgjedhor e njëherësh si përgjegjës kryesor. Harta e pikave të nxehta paszgjedhore, është sa statutore, aq edhe hakmarrje politike, sa paqartësi me të shkuarën, aq mungesë kthjelltësie me të ardhmen, mëri e ngrefosje të ndryshme, duke e bërë Partinë Demokratike, objekt të një thërmimi të mundshëm, me gjasa të pakthyeshme rikuperimi.
Përse ju?
Sepse të gjithë ata deputetë, ish-deputetë, ish-ministra, kryesi, grupe parlamentare, emra të spikatur e spërkatur të Partisë Demokratike në këto 27 vite, nuk është se kanë shkëlqyer me prezencë apo mungesë, nëse mbi ta dhe për ta, nuk ka kaluar më herët bekimi e mbështetja juaj.
Aksioma “E di Doktori”, ka qenë një shprehje sa kuranore aq dhe biblike në PD, sa ishte e mjaftueshme për të mos e zgjatur e tjerrur diskutimin. Edhe kur PD ishte shkujdesshëm jo mirë në pragjet zgjedhore, të gjithë demokratët apo vartësit e tu, votuesit pro dhe ata kundër, pëshpërisnin kudo, e di Ai, Marshalli, do shpikë ndonjë marifet, e do të na nxjerrë fitues. Aq sa një pjesë interesante në Partinë Demokratike, u bënë më vonë demokratë, pasi ishin bërë më herët berishianë. Ndaj 22 korriku, data e zgjedhjes për kryetarin e ri, duhet të jetë datë bashkuese, dhe për këtë askush nuk thotë të kundërtën, por pak kush po bën të duhurën.
Jozefina Topalli, Besnik Mustafaj, Astrit Patozi, Ridvan Bode, Genc Rruli, Arben Ristani, Edi Paloka, Lulzim Basha, Sokol Olldashi, Edmond Spaho, Arben Imami, Majlinda Bregu, zëvëndësminsitra, ambasadorë, drejtorë të përgjithshëm, e plot të tjerë, nuk kanë mbërritur të jenë aksionerë në partinë më të madhe opozitare, kundër vendimit, analizës, skanimit, peshës së kontributit, të peshores politike të Sali Berishës. Po kështu edhe për plot deputetë të tjerë, të cilët nuk është se ishin të kuotuar lart në elektorat, sesa morën bekimin e Berishës, duke llogaritur rezultatin në favor të PD, dhe u bënë të sigurtë qëndrimet në karriket e tyre.
Shumë nga këta që kërleshen fort me njëri tjetrin sot, nga të gjitha anët, brenda partisë, kanë konsumuar pushtet, aq sa ka moshë 80 përqind e demokratëve dhe qëndrestarëve. Ndaj është mirë për 22 korrikun, të mos jetë kohë e rrëfimit të mëkateve të njërës palë, apo shenjtërive të palës tjetër, duke mos synuar zgjedhjet në PD si një 14 korrik francez. Doktor, ju keni formësuar Partinë duke ditur se ku i dhemb e djeg asaj por edhe udhëheqësve në hije e në diell të saj. Nuk duhet të vrapohet për linçim, revansh, me një turr zemërak lindor, me synim zënien e karrikeve të para të autobuzit, për të pritur rradhën aty, kur PD-së, ti vijë vakti të bëhet me pushtet, nëse ata vetë do e lënë të ndodhë.
Doktor pesha e fjalës dhe veprës suaj nuk kontestohet aspak dhe shumëkush mbasë tani ka nisur të besojnë se ju nuk mund tu jepni atyre dhurata përjetësisht, për më tepër, kur ata i rishpërndajnë dhurata në adresa emocionale dhe jo brenda familjes politike. Secili demokrat funksionar apo jo, ka harxhuar orë të jetës së tij, duke u përpjekur e punuar dhe kjo është në inventarin e partisë. Si dhe jopunët e shumëkujt.
Deri më tani kanë dalë pesë kandidatë për postin e kryetarit, të cilët kanë pranuar të garojnë, ndonëse kanë dhe kërkesa statutore. E për herë të parë ankesa e tyre është statuti gjumprishuri i zakonshëm, por i pazbatuari i përhershëm. Largapamësia e muajit të nxehtë stonor dhe politik është në parking, sepse mbase duhej më së shumti të flasin të gjithë me demokratët, të shfajësojnë dhe fajësojnë problemin dhe telashet, pjesë prodhuese e të cilëve janë vetë secili në hisen e vet. Inventari i këtyre zgjedhjeve për secilin deputet e funskionar partie, nuk është i fisëm por trishtues, sa nuk ke çtë marrësh e çtë lësh. Nëse vetërrëfehen kushdo do të gjejë tek vetja shkakun e humbjes pa mbërritur larg, do gjëjë çfarë dhe sa nuk bëri sa duhet. Asnjëri kandidat nuk e përmendi deklaratën e OSBE-ODIHR se 5 përqind e firmave janë hedhur nga e njëta dorë, e kjo përqindje është mjaftueshëm rezultat përmbysës i manipuluar.
E thonë të hujat e përtojnë demokratdashësit e përvëluar për Partinë Demokratike, të cilët harrojnë me dashje një burim serioz denoncues të masakrës së të dielës zgjedhore!!!! Kjo nuk do justifikonte asnjërin brenda PD-së, por do na njohë më masakrën e kundërshtarit para syve tanë.
Doktor ju mundeni të ndaloni hemoragjinë e besimit, ulni temperaturën e vlimit, kujtoni demokratëve, firmëtarëve, rivalëve, konkurentëve, jo kundërshtarëve, sepse kundërshtarët janë të majtët, se po rrokullisin PD-në, në një hon të rrezikshëm. Në një rrëpirë ku nuk munden fare ta kthejnë pas, e për më tepër ta nxjerrin fituese në garën e afërt.
Të gjithë emrat e shqetësuar dhe të pashqetësuar për statutin, kanë dhe një hall tjetër mbase. Nëse bizneset e tyre, llogaritë e tyre, pushteti i tyre, trashëgimia e tyre, është e rrezikuar, apo do të lihet e pacënuar. Hallet e demokratëve vihen në rradhë të fundit, ose nuk u kërcet fort ti ndërmendin.
Kandidatët edhe më shumë le të shtohen, të kenë siguri konkurimi, të përballen të gjithë me demokratët, dhe ju doktor mundeni tu ofroni garanci të gjithëve se nuk ka anshmëri, duke gjetur mekanizmin politik statutor, por më së shumti vleresimin e projketeve të secilit kandidat, që bashkon në maksimum demokratët. Ata duhet të thonë hapur se kanë përballë Ramën dhe jo njëri-tjetrin.
Mes tyre janë konkurentë. Ju keni përcjellë mesazhet tuaja më herët duke i lajmëruar bashkëpunëtorët tuaj të gjithë në mandatin e fundit njëlloj bashkëpuntorë të Bashës se nëse duan ata mund të vazhdojnë të mbeten miqtë tuaj. Por nëse ata sado dhe kushdoqofshin po shkërmoqin PD -në, ju duhet t’ua bëni të ditur se nuk janë më miqtë e demokratëve dhe miqtë tuaj sigurisht. kjo e shoqëruar me përsenë e kësaj ndodhie.
Mos të bëhet kjo fushatë hapje kutish të së shkuarës, rrëfime mëkatesh për të gjithë, sepse atëherë nuk do ndalojmë edhe shumë vite humnerën. Shenjtorët nuk janë në tokë. Të marrin pjesë në zgjedhje të bindin demokratët, t’i binden rezultatit, të përfitojnë kontribut sipas rezultatit, duke qenë gjithpërfshirës në drejtim të partisë, të vlerësojnë strukturat, t’i ringrenë dhe shëndoshin ata, e kështu të ngrenë PD-në në misionin e saj. Doktor tani është rradha juaj, që PD të mos hajë vetveten.. (D.D/Shuplaka)