Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama në një intervistë për “France 24”, që lidhur me importine e mbetjeve thjesht ka zbatuar legjislacionin e Bashkimit Europian.
“Dëgjoj shpesh përfaqësues të politikës që kur duan t’i ikin përgjegjësisë per iniciativa te cilat bien ndesh me vullnetin e qytetareve, përdorin shprehjen “thjesht kemi perafruar legjislacionin me atë të Bashkimit Europian”! E njëjta gjë ka ndodhur edhe me ligjin për importin e mbetjeve, i cili ka ardhur sërish në vëmendje.
Se pari, Shqipëria është ende një vend në zhvillim, ku jo cdo legjislacion i BE-së i shkon për shtat në këto momente standarteve dhe kushteve në të cilat ne ndodhemi dhe aq më tepër tolerances ndaj riciklimit të mbetjeve të huaja.
Eshte më mirë të tregojmë që dimë të riciklojmë edhe këto mbetjet tona që në zona të tëra të Shqipërisë i gjen edhe pranë qëndrave të banuara, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e qytetarëve. Së dyti, duhet të marrë fund fshehja pas BE-së dhe duhet të fillojmë t’i japim fund alibive tona për interesa të ngushta. Dhe nëse vërtet duam t’i ngjasojmë sado pak Europës duhet të degjojmë zërin e qytetarëve, që pikërisht për këtë cështje foli me një zë më të lartë se kurrë!”, reagon Gjosha.
Kujtojmë se kryeministri Edi Rama në një intervistë për televizionin francez “France24”, mes të tjerave foli edhe për riciklimin e mbetjeve dhe importimin e tyre nga jashtë.
“Është një gjë për të cilën më duhet të them edhe televizionet franceze, përfshirë dhe tuajin e kanë kthyer tërësisht në drejtimin e gabuar. Kjo çështje nuk ka qenë gjë tjetër veçse miratimi i legjislacionit të BE-së. E drejta e industrisë për të importuar dhe ekspertuar.
Më ka vënë në pozicion të vështirë, por nuk ka asgjë tjetër, vetëm miratimi i legjislacionit evropian.
Gazetaria shqiptare kanë një rol këtu duhet të bëjë më përpara duke bërë pyetjet e duhura”, u shpreh Rama (D.D/Shuplaka)