NGA BESART KADIA
Një ditë pas shpalljes së listës së deputetëve të rinj, Jozefina Topalli do të shprehej në një konferencë të nxituar për shtyp se: “Kjo nuk është Partia Demokratike e dhjetorit 1990”. Në këtë fjali të ndjerë zonja Topalli shprehu pa dashje ndasitë e mëdha që ka në elektorat për hapat që duhet të ndërmarrë PD për të hyrë në kohën e dytë politike të saj. Në kohën e parë PD kishte një rol historik e që nuk mund të rikthehet e të mbetet si formë e shprehjes së ekzistencës së saj në publik.
Roli historik i PD-së ka bërë fatkeqësisht shumë përfaqësues të saj të mendojnë se për publikun shqiptar ata duhet të kenë njëkohësisht të njëjtën vlerë historike. E ky keqkuptim i madh ka çuar në këtë përplasje brenda PD-së. Eksperienca politike e viteve 1990 është unike në llojin e saj. Të paktë janë politikanët perëndimorë që kanë përjetuar adhurimin e popullit të tyre për çdo veprim të tyre politik, siç kanë përjetuar politikanët shqiptarë në vitet 1990. Shoqëria nuk kishte përfaqësim të organizuar politik, nuk kishte interesa mirëfilli ekonomike, nuk kishte shkëmbim kulturor e politik me Perëndimin, nuk ishte e edukuar e lexuar mjaftueshëm për t’u ndier pjesë e Europës.
Ndaj politikani i ri, i partisë së re, u mbështoll si me mëndafsh me shpresat e miliona e miliona njerëzve. Këtë përjetim “jonjerëzor” kërkon ta gjejë edhe sot kundërshtari ynë Edi Rama në elektorat, por që e bën të duket “putinist”, pasi kërkon më kot të kap një kohë që s’është e tij. Por, siç ndodh në politikë, koha zbulon se politika me të vërtetë është arti i së mundurës, por ajo nuk është çudibërëse dhe gjasat janë që populli të zhgënjehet me veprimet e mosveprimet e politikanëve.
Dhe 27 vite mjaftojnë për këdo që ka qenë në krye të shtetit apo të partive politike për të zhgënjyer dhe këtu nuk bën përjashtim askush, përfshirë edhe zonjën Topalli. PD-ja sot nuk është PD-ja e dhjetorit 1990 dhe kjo shpreh nevojën e kohës për të rihedhur në publik një PD të gatshme e të përshtatur për të drejtuar shtetin Shqiptar.
Por, së pari, duhet theksuar se e djathta shqiptare është pa dyshim në udhëkryq dhe kjo nuk duhet të lidhet me fatin politik të Lulzim Bashës. Lufta për lidershipin e ri të PD-së nuk zgjidh asgjë nga shqetësimet thelbësore që ajo ka të trashëguar.
Së dyti, duke lexuar rezultatet e këtyre zgjedhjeve, kushdo që shqetësohet se nga PD-ja mund të krijohen parti të reja gabohen. Ndaj, kushdo që do t’i hynte kësaj aventure duhet të shohë ftohtë se çfarë po ndodh me elektoratin shqiptar. Rikujtojmë se PD-ja është shndërruar në disa qytete në forcë të tretë dhe në disa zona edhe në forcë të katërt. Një parti e re e djathtë si shkëputje nga PD nuk është elektorale dhe për më tepër nuk është as përfaqësuese e ndonjë “korrenti” ideologjik brenda partisë.
Çdo fraksion i tillë dëmton PD-në në rolin e saj historik, por që nuk kap logjikën dhe nevojën për një PD që hyn në kohën e saj të dytë dhe kjo mund të arrihet sot vetëm me vazhdimin e lidershipit të Lulzim Bashës. Ridvan Bode, Genc Ruli, Astrit Patozi, Arben Imami, Jozefina Topalli etj., janë përfaqësues të rëndësishëm të PD-së. Ata janë PD dhe shumë të rinj i janë bashkuar PD-së dhe prej performancës së tyre në publik, kur PD ishte në opozitë apo kur ajo drejtoi vendin. Por rezultati i vitit 2013 i vazhduar me rezultatin e vitit 2017 mjaftojnë për të ritheksuar se PD ka nevojë për t’u rihedhur në treg e për të hyrë në kohën e saj të dytë politike.
Por kjo nuk arrihet ashtu siç kërkohej nga artikulli i RD-së para disa ditësh se: “kushdo që shtyn përçarjen duhet të shtypet si insekt. Kjo shtron pyetjen retorike të Alexander Pope se “A përdoret çekiçi për të vrarë një flutur?
Së pari, PD ka nevojë për drejtuesit e saj të shkuar. Kjo nuk është thirrje për paqe apo për “ulje armësh” mes rivalësh që kërkojnë lidershipin e PD-së. Jo. Ky është akt i nevojshëm për integrimin e eksperiencave të ndryshme të PD-së në makinerinë e saj të madhe në kohë fushate e në drejtim shteti. Partitë e djathta kanë nevojë për një strukturë reflektimi të brendshëm e kjo duhet krijuar në PD.
Atë term që gazetarët e përdorin për “senator” le të kthehet në një format të strukturuar të brendshëm që shërben në diskutim programi, në trajnim liderash të rinj, në forcim të fondacionit të PD-së etj. Është praktikë e njohur në Perëndim dhe duhet forcuar më tej në PD.
Së dyti, duhet të rimenduar struktura të panevojshme e burokratike si departamentet që janë krijuar në PD. Duke qenë se shumë kryetarë departamentesh menduan se janë pjesë e rëndësishme e politikave të partisë, ato keqkuptuan se janë automatikisht dhe kandidatë për deputetë. Ndaj, për të anashkaluar këtë keqkuptim duhet të krijojmë qartësi opozitarizmi.
Së treti, duhet shpallur ekipi qeverisës së lidershipit të PD-së në publik, ose siç njihet ndryshe “qeveria hije”. Në këtë mënyrë grupet e interesit qartësohen për aktorët politikë dhe është më e lehtë të ndërveprosh me ta e të forcosh kauzat publike opozitare. Mbivendosje e numër i madh përfaqësuesish për fusha të ngjashme e dobësojnë dhe humbasin qartësinë e zërit opozitar.
Së katërti, si parti e djathtë PD duhet të krijojë një strukturë të re përfaqësimi për sipërmarrjen në vend. Organizimi i pavarur i biznesit, por në lidhje të ngushtë përfaqësimi politik e profesional me PD-së është domosdoshmëri. Një praktikë e tillë është ndjekur nga disa parti anëtare të PPE-së dhe është kërkesë e kohës. Kjo bën që PD të mbetet besnike grupeve të interesit dhe i mundëson asaj një elektorat më të gjerë dhe me interesa të qarta në shoqëri.
Së pesti, anëtarësia duhet të ndahet në nivele të ndryshme organizimi. PD ka anëtarësi të madhe, por kategorizimi i njëjtë për të gjithë, pavarësisht angazhimit të tyre, bën që të ketë gjithnjë përplasje e pakënaqësi mes anëtarëve. Mbledhja e financave të anëtarësimit është e domosdoshme dhe financat duhet të bëhen publike për të gjithë anëtarët në formë raportesh. Komunikimi me ta duhet të jetë zyrtar, i drejtpërdrejtë e i veçantë nga pjesa tjetër e publikut.
Në formatin e një organizimi të madh shoqëror, raportimi gjashtëmujor me ta është i domosdoshëm për të krijuar një frymë të përbashkët. PD duhet të rihidhet në publik me disa akte të reja që nuk janë bërë nga partitë e tjera në opozitë, disa prej tyre të përmendura më sipër. Duhet të ndërmarrë këto hapa për të qenë e besueshme dhe transparente për publikun për të hyrë në kohën e saj të dytë politike.
Vetëm atëherë në 2021 duhet të rikthehemi te debati për lidershipin e PD-së. PD-ja sot, ish-përfaqësuesit e saj të rëndësishëm politik, anëtarët e thjeshtë, të rinjtë shpresëplotë që ia afruan PD-së në 2014, drejtues departamentesh e ish-deputet po shfaqin pakënaqësi për rezultatin zgjedhor, duke e njësuar këtë rezultat vetëm me aftësitë menaxheriale të kryetarit Basha. A ia vlen të konsumohet gjithë kjo energji për këtë kauzë? E njëjta pyetje shtrohet dhe në këtë rast: A përdoret çekiçi për të vrarë një flutur?