Shqipëria vlerësohet të ketë pasur një bum në sektorin e ndërtimit për vitin 2016, duke qenë se lejet e dhëna panë rritjen më të madhe në rang europian. Sipas të dhënave të Eurostat numri i lejeve ndërtimit pësoi një rritje mesatare në vendet e Bashkimit Europian më 2016 me 10.3 për qind, ndërsa në Shqipëri sipas të dhënave të INSTAT, numri i lejeve të ndërtimit në vitin 2016 pati pothuajse një trefishim ose një rritje me 167 për qind.
Shqipëria futet në vendet me sipërfaqe të vogël teksa projeksionet e popullisë janë me tkurrje në vitet në vijim. Sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuar Në vitin 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë 1,754,540 banorë me një rënie prej 1.2 milionë personash nga popullsia aktuale (2.9 milionë) sipas portalit të OKB.
Nga ana tjetër shumë vende të Europës ato më të zhvilluara po përballen me shtim të popullatës prej emigracionit nga vendet e Lindjes se Mesme dhe atyre të Afrikës së Veriut.
Mirëpo në paradoks me këto zhvillime Shqipëria ndodhet para një bumi ndërtimesh. Përveç lejeve të dhëna deri më tani është lajmëruar ndërtimi i të paktën 15 kullave shumëkatëshe, tre prej të cilave pritet të nisin punë që këtë vit. Tendenca ka vijuar edhe në muajt e parë të këtij viti. Sipas INSTAT, në tremujorin e parë 2017 janë miratuar gjithsej 101 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, me një sipërfaqe rreth 91.864 m 2, nga të cilat 43 leje ishin në Tiranë.
Eurostat shpjegon se indeksi i lejeve të ndërtimit u rrit në shumicën e Shteteve Anëtare të BE-së në mes të tremujorit të parë të vitit 2014 dhe tremujorit të parë të vitit 2017. Gjatë kësaj periudhe, rritjet më të larta u regjistruan në Hungari ku numri i lejeve të ndërtimit shënoi një rritje vjetore me 157 %. Më tej në renditje vjen Portugalia me një rritje 39 për qind krahasuar me 2015, më pas Maqedonia dhe Serbia me një rritje me nga 26% secila. Holanda dhe Rumania ishin të vetmet që pësuan rënie të numrit të leje të dhëna për ndërtim, repsektivisht me 4.7 dhe 1.7% %, ndërsa rritje të vogël të numrit të lejeve patën shtete të tilla, Greqia dhe Çekia.
Eurostat e sheh indeksin e lejeve të ndërtimit si treguesin më të hershëm që paralajmëron një krizë të afërt ekonomike. Si në BE ashtu edhe në zonën e euros, i ashtuquajturi “indeks i zonës së katit”, që do të thotë zona e përdorshme e dyshemeve të përfshira në lejet e ndërtimit, thuajse u përgjysmua në mes të viteve 2007 dhe 2009. Kjo rënie u shkaktua ndjeshëm nga rënia e Sektorin e ndërtimit në Spanjë dhe Irlandë. Pas një periudhe të shkurtër stabiliteti në vitin 2010, indeksi vazhdoi të binte dhe arriti pikën më të ulët në vitin 2014.
Që atëherë, indeksi i zonës së kateve të lejeve të ndërtimit ka treguar shenja të rimëkëmbjes, me një rritje prej 26% në BE dhe një rritje prej 24% në zonën e euros nga 2014 në fillim të 2017.
Në BE, indekset e banimit arritën kulmin në tremujorin e fundit të vitit 2006 dhe pastaj filluan një rënie të vazhdueshme dhe të shpejtë e cila zgjati 2 vjet. Gjatë viteve 2010 dhe 2011 niveli i indeksit mbeti relativisht i qëndrueshëm, por që atëherë ka rënë edhe më tej, edhe pse jo aq dramatikisht sa më parë. Në vitin 2015 dhe 2016, nivelet e indeksit u rritën pak.
Numri i lejeve të ndërtimit është mjaft heterogjen ndërmjet Shteteve Anëtare. Ndërmjet viteve 2010 dhe 2016, indeksi për numrin e ndërtesave të reja u rrit në njëmbëdhjetë shtete./MONITOR