Hetimet për Klement Balilin, i konsideruar si “Eskobari i Ballkanit” kanë ngecur për shkak të shtetit grek.
Prokuroria për Krime të Rënda edhe pse ka mbi 15 muaj që po heton dosjen e Balilit ka mbetur ende në pritje të letër-porosisë nga autoritet greke. Kjo për shkak, se akuza, pretendon se Greqia nuk ka sjellë provat e plota, duke bërë që hetimi i Balilit të shtyhet.
ABC News ka mësuar se edhe pse janë dërguar dy shkresa drejtësisë greke, ajo ende nuk ka sjellë materialet e plota të akt-ekspertimeve të drogës së bllokuar apo edhe provat e tjera të vlefshme për çështjen.
Prokuroria për Krime të Rënda për këtë arsye ka vazhduar me zgjatjen e afateve hetimore duke mos kryer ndonjë veprim konkret për hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes.
Kjo sepse sipas Prokurorisë, drejtësia greke ka sjellë në nëntor vetëm 12 fashikujt e kësaj dosje me përgjimet dhe prova shkresore për çështjen. Por nuk ka sjellë akt-ekspertimin e lëndës së sekuestruar, dëshmitë e të arrestuarve mes tyre edhe dy shqiptarëve Petro Dalanaj dhe Kleanth Palaj, të cilët dyshohet se janë skafistët e nisur nga Shqipëria nga i pandehuri tashmë i shpallur në kërkim Klemend Balili.
Prokuroria pretendon se autoritet greke nuk kanë sjellë edhe dëshmitë e shtetasve greke, biznesmenëve me të cilët dyshohet se Balilaj mbante kontaktet për nisjen e sasive të ndryshme të drogës.
Veç këtyre provave shkresore, mësohet se Prokuroria e Krimeve të Rënda ende nuk është shprehur edhe në lidhje me pasurinë e Klemend Balilit dhe të afërmeve të tij. Prej muajsh, ka nisur një hetim pasuror ndaj tyre në bazë të ligjit Antimafia, por ende nuk ka një vendimarrje nga prokurorët e çështjes për këtë fakt.
Mos marrja e një vendimi për pronat, është arsyetuar për mungesë të kthimit të përgjigjeve nga institucionet e tjera, si hipoteka, bankat apo qendra e regjistrimit të bizneseve.
Prokuroria për Krime të Rënda ka mbi 15 muaj që ka nisur hetimet për Klemend Balilin, për shkak të dyshimit se është pjesë e një rrjeti të fuqishëm të trafikut të drogës nga Shqipëria në Greqi dhe drejt vendeve të BE-së.
Në lidhje me këtë dosje, mësohet se autoritet greke kanë arrestuar 15 persona dhe që dyshohet se nga janari i 2014-s kanë trafikuar sasi të mëdha droge në vende të ndryshme të BE-së.(B.H/Shuplaka)