Barcelona është përfshirë në një skandal përgjimesh, që mund të sjellin kaos dhe shkarkimin e Presidentit të ekipit.
Presidenti Josip Bartomeu është përgjuar në telefon duke folur me ish-presidentin e këtij klubi, Sandro Rosell, i cili i kërkonte që të mbulonte disa nga veprimet financiare, që sollën edhe arrestimin e tij në Brazil.
Edhe pse i ka orët e numëruara, Josip Bartomeu deklaron se nuk largohet, ndërsa për bisedat me Rosell thotë se e ka mik dhe flasin shpesh, por nuk ka asnjë shkelje në detyrën e tij në krye të ekipit të Barcelonës.
“Nuk kam ndërmend të jap dorëheqjen. Me Rosell flasim në telefon dhe e kam mik. Më vjen keq për atë që i ka ndodhur, por ajo çështje lidhet vetëm me planin personal dhe nuk ka të bëjë me klubin.
Kemi kontrolluar çdo dokument dhe nuk kemi të dhëna që dënimi i ish-presidentit ka dëmtuar klubin” deklaroi ai.
Më pas Presidenti Josip Bartomeu foli për rinovimin e Mesit, por edhe objektivin për të blerë Verratin, të cilin e ka bllokuar PSG.
“Messi ndryshoi imazhin e klubit. Negociatat për rinovimin nisën disa muaj më parë. Ai na tha ‘Dua të qëndroj, flisni me babanë tim’.
Messi është lojtari më i mirë në botë dhe do të bëhet më i miri në histori. Nuk kam dyshuar asnjëherë te vullneti i tij për të qëndruar. Për sa i takon Verratit e kemi të qartë që dëshiron të luajë me ne, por PSG nuk dëshiron ta shesë” përfundoi ai.