Pas më shumë se 1 viti proces gjyqësor duket se pronësia e aksioneve të televizionit Top-Channel i ka kaluar Vjollca Hoxhës dhe fëmijëve të saj si trashëgimtarë të të ndjerit Dritan Hoxha.
Ky vendim mësohet të jetë dhënë më 21 qershor në gjykatën e apelit, ndërsa ende nuk është zbardhur i argumentuar.
“Report Tv” ka mësuar nga burime pranë Gjykatës së Apelit se më 21 qershor pas 6 seancash, Apeli ka vendosur të pranojë padinë e trashëgimtarëve të të ndjerit Dritan Hoxha duke i njohur atyre pronësinë mbi aksionet e televizionit.
Kjo padi me objekt njohje pronar i është pranuar paditëses Vjollca Hoxha dhe fëmijëve të saj Lorela Hoxha, Sara Hoxha, Redia Hoxha, Itan Hoxha kundër të paditurve Albert Sino, Aurel Baci ish-shokët e Dritan Hoxhës dhe ish staf i Top-Channel.
Albert Sino dhe Aurel Baçi kanë pasur në pronësi 60 % të aksioneve të Top-Channel ndërsa me këtë vendim të gjykatës së apelit këto aksione kalojnë në favor të familjarëve të Dritan Hoxhës.
Ndërsa ky vendim i Apelit i cili është i ekzekutueshëm pritet që të ankimohet në Gjykatën e Lartë me rekurs nga Albert Sino dhe Aurel Baçi.