Tragjike ka qenë vdekja e 18-vjeçares K.I në Spitalin e qytetit të Elbasanit, ndërkohë që familjarët kanë hedhur akuza të forta në drejtim të mjekëve. Ata thotë se ka qenë mjekimi i pakujdesshëm i kirurges J.K., 43 vjeçe që ka shkaktuar vdekjen e vajzës së tyre.
Viktima ka qenë me orgjinë nga qyteti i Gramshit, ndërkohë që nuk jepen detaje në lidhje me shkaqet e ndërhyrjes kirurgjikale dhe nga se vuante e reja.
Po ashtu Policia ka nisur procedimin ndaj mjekes. E paqartë mbetet pse kjo ngjarje raportohet sot ndërkohë që 18-vjeçarja ka ndërruar jetë që prej ditës së shtunë.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Krimet, në Komisariatin e Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori për proçedim penal në gjendje të lirë për veprën penale “Mjekimi i pakujdesshëm” në ngarkim të shtetases J.K., 43 vjeçe, banuese në Elbasan.
Ajo duke qenë me profesion mjeke kirurge në spitalin e Elbasanit, në datë 8 korrik 2017, kreu një ndërhyrje kirurgjikale tek pacientja K.I.. Pacientja K.I, ndërroi jetë pak pas operacionit.
Sipas kallëzimeve të familjarëve dyshohet se 18 vjeçarja ka humbur jetën si pasojë e mjekimit të pakujdesshëm.
Grupi hetimor po kryen veprime të mëtejshme në bashkëpunim me ekspertët mjeko–ligjorë për përcaktimin e shkakut të vdekjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprën penale “Mjekimi i pakujdesshëm” parashikuar nga neni 96 i Kodit Penal.
(E.K/SHUPLAKA)