Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka reaguar pas raportit që kryeministri Edi Rama publikoi pak më parë, mes të cilëve përmendeshin 100 emra zyrtarësh, të cilët sipas komentuesve në Facebook kanë abuzuar me detyrën.
Manjani e cilëson këtë veprim të Ramës si aktin e parë të diktaturës, ndërsa shton se sapo shpalli dënimin e tyre, duke qenë se emrat e tyre u publikuan pa asnjë verifikim, thjesht nga komentet e qytetarëve në Facebook. Këtë Manjani e cilëson si kapitullim të Reformës në Drejtësi.
“Reforma në drejtësi kapitulloi, së bashku me vetting-un! Askush nuk do ta besojë në pavarësinë e strukturës së vetting, pas këtij linçimi publik të emrave që bëri mrekullia kushtetuese e Shqipërisë! Drejtësia popullore e popullit të Facebook tashmë është në veprim!”, reagon Manjani.
REAGIMI I MANJANIT
Akti i parë i diktaturës.
——-
Komiteti Qëndror i Rilindjes, me në krye shokun Edi Rama, shpalli sot dënimin për disa nënpunës të shtetit! Ndër ta edhe gjykatës e Prokurorë!
Reforma në drejtësi kapitulloi, së bashku me vetting-un! Askush nuk do ta besojë në pavarësinë e strukturës së vetting, pas këtij linçimi publik të emrave që bëri mrekullia kushtetuese e Shqipërisë!
Drejtësia popullore e popullit të Facebook tashmë është në veprim!
I mjeri ai që i bie taksirati të ketë të bëjë me këtë shtet që po ndërtohet!!! (D.D/Shuplaka)