Skënderbeu është vendosur në Kazakistan gjatë ditës së djeshme, atje ku do të luajë takimin e radhës për turin e dytë eliminator. Pavarësisht se gjithçka u përgatit në Turqi, lodhja nuk ishte e pakët për bardhekuqtë e trajnerit Ilir Daja.
Në orën 14 me orën tonë lokale, ata duhet të lironin dhomat e hotelit sipas programit dhe menjëherë sapo janë kthyer nga stërvitja e fundit në Stamboll, janë marrë me shpejtësi me përgatitjen e valixheve. Më pas rreth orës 16:00, Skënderbeu ka qenë i gjithi në aeroportin e Stambollit në pritje të nisjes së fluturimit drejt Kazakistanit.
Udhëtimi u bë në dy grupe ku një pjesë e lojtarëve u nisën në orën 18:00 ndërsa pjesa tjetër në orën 20:00 me dy avionë të ndryshëm të së njëjtës linjë. Pas 5 orë e 35 minuta udhëtim bardhekuqtë mbërritën në Almati ku ndryshimi i kohës me 4 orë diferencë solli më shumë lodhje por edhe çoroditje të ekipit.
Nga aeroporti direkt në hotel për t’u çlodhur dhe për t’u përshtatur disi me orarin e ndryshëm nga ajo që korçarët ishin mësuar. Gjumi dhe regjimi zgjati deri në orët e drekës kur ekipi duhet të bëhej gati për të zhvilluar edhe ceremoninë e zakonshme, konferencën për shtyp dhe seancën e fundit stërvitore, por sërish, problemi i ndryshimit të orës ndjehej te lojtarët. Në fund të ditës të gjithë regjim dhe gjithçka gati për takimin e sotëm ku Daja kërkon maksimumin.