Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bën një ftesë publike, të gjithë ekspertëve kontabël të liçensuar që të bëhen pjesë dhe të shfaqin interes për auditimin e e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga partitë politike për fushatën zgjedhore të datës 25 qershor 2017. Kjo lëvizje vjen në kuadër të zbatimit të dispozitave të Kodit Zgjedhor.
Sipas KQZ-së, përzgjedhja e ekspertëve kontabël do të bëhet sipas përcaktimeve të nenit 92 të Kodit Zgjedhor, përmes një shorti.
DETAJET E KQZ-së
Ekspertët kontabël të liçensuar përveç kushteve të përgjithshme të ushtrimit të profesionit të përcaktuara në nenin 16 të ligjit “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar”, duhet të plotësojnë edhe kriteret e mëposhtme:
Të ushtrojnë profesionin e ekspertit kontabël të licensuar për jo më pak se 5 vjet.
Të mos kenë marrë masa disiplinore: vërejtje me shënim në dosje ose pezullim të përkohshëm gjatë ushtrimit të profesionit të ekspertit kontabël.
Të mos ketë qenë i zgjedhur në strukturat drejtuese të ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit.
Të mos ketë qenë kandidat i mbështetur nga ndonjë parti politike apo koalicion në zgjedhjet pararendëse.
Të mos ketë marrëdhënie krushqie të afërt ose gjinie deri në shkallë të katërt me kryetarët dhe drejtuesit e tjerë më të lartë të partive politike, të cilat do të jenë objekt i auditimit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bën thirrje të gjithë ekspertëve kontabël të licensuar që plotësojnë kriteret e sipër përmendura që brenda datës 20.07.2017, të depozitojnë pranë KQZ-së dokumentacionin; Kërkesë aplikimi dhe deklaratë e nënshkruar nga kandidati që plotëson kriteret e përzgjedhjes. (D.D/Shuplaka)