Në një bashkëbisedim me gazetarët, ditën ne sotme kreu i “ Zgjidhja” Koço Kokëdhima, u shpreh se vota e 25 qershorit është vjedhur në sy të ndërkombëtarëve.
Kokëdhima tha se Rama dhe Basha kishin një pakt për të vjedhur votat së bashku dhe kjo vjedhje është bërë në sy të të huajve.
Ndërkohë që ndërkombëtarët sipas Kokëdhimës, në emër të stabilitetit heshtën dhe nuk e denoncuan këtë gjë.
Konferenca:
Në 64 kuti votimi të hapura dhe të rinumëruara, vetëm 7 kuti rezultuan me të dhëna të sakta, ndërsa në 57 të tjera, gjithçka ishte manipuluar. Nga rinumërimi rezultoi se Partia Socialiste kishte përfituar 85 vota, Partia Demokratike 77 vota, LSI 80 vota, PDIU-ja 52 vota etj.
Edhe në këto zgjedhje, si në çdo palë zgjedhje të tjera, ku votat e të gjitha partive i numërojnë dy partitë e mëdha, votat e partive të vogla që nuk kanë patur as komisionerë dhe as numërues janë tjetërsuar për llogari të partive të tjera.
Drama me votat është zbuluar pjesërisht, sepse u hap dhe u rinumërua vetëm një pjesë e vogël e tyre në Tiranë. Imagjinoni se çfarë batërdie është bërë me këto vota në gjithë qarkun e Tiranës, apo më keq imagjinoni se çfarë masakre elektorale është bërë në qarqet e tjera të Shqipërisë, ku ka patur edhe një prani shumë të ulët të vëzhguesve të huaj dhe vendas dhe ku votat e të gjitha partive kanë qenë në duart e komisionerëve të partive të mëdha dhe të administratës shtetërore .
Zgjidhja e kishte parashikuar këtë skenar ogurzi dhe të përsëritur prej dy dekadash në zgjedhjet shqiptare.
Zgjidhja kishte shumë të drejtë që ftoi të gjitha partitë e tjera që të mos marrin pjesë në zgjedhjet pa reformë zgjedhore dhe në zgjedhjet ku votën e numëron Rilindja dhe PD-ja. Zgjidhja do të kërkojë me ngulm që Shqipëria të mos shkojë më në asnjë palë zgjedhje, qofshin vendore, apo të përgjithshme, me këtë sistem dhe infrastrukturë zgjedhore.
Ajo do të jetë në krye të betejës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për votim dhe numërim elektronik në qendrat e votimit, për një administratë zgjedhore shtetërore të depolitizuar.
Ramës dhe Bashës u bëj këtë pyetje: pse i keni vjedhur me komisionerët tuaj zgjedhjet e 25 qershorit? Ata që certifikojne zgjedhjet, partnerët tanë ndërkombëtarë mbyllin sytë për çfarë ndodh në Shqipëri në emër të stabilitetit. Ata mbyllën sytë për drogën.
Vazhdojnë të mbyllin sytë për blerjen dhe vjedhjen e zgjedhjeve. Duam të besojmë se këtë e bëjnë vetëm në emër të stabilitetit. Ne e vëmë në dyshim këtë. Edhe sikur të jetë vetëm kështu ka ardhur koha ta kuptojnë të gjithë se duke sakrifikuar demokracinë dhe zgjedhjet e lira jemi duke hedhur në erë edhe vetë stabilitetin dhe përparimin ekonomik të Shqipërisë!
Ne nuk do e lejojmë këtë situatë që të vazhdojë. U them kryetarëve të partive që vjedhin sistematikisht Shqipërinë dhe zgjedhjet se nuk kanë parë dhe as nuk e kanë menduar reagimin e popullit tonë që po vjen. Në axhendën politike të Shqiperise s’ka asgjë më urgjente se pastrimi dhe reformimi përfundimtar i zgjedhjeve dhe liberalizimi i konkurencës politike.
Zgjidhja fton të gjitha forcat e interesuara për çlirimin e zgjedhjeve dhe të Shqipërisë nga kusarët e tranzicionit dhe nga kjo elitë politike që e ka mbaruar misionin e saj! I kërkoj Prokurorisë së Shtetit që të hapë gjithë kutitë dhe të çojë përpara drejtësisë të gjithë kriminelët që kanë vënë dorë mbi votën e popullit në 25 qershor!
Kryeministri Rama në konferencën për mediat sot në mesditë deklaroi se është një broçkull ideja e ‘Jugosllavisë së re”, ndërkohë që ka analiza edhe në shtypin e huaj që tregojnë se ky projekt ekziston dhe është i detajuar. Si e komentoni këtë?
Kokëdhima: E ndoqa konferencën e shtypit të kryeministrit sot dhe sigurisht që më bëri përshtypje edhe kjo deklaratë. Ai i quan broçkulla gjërat që shkojnë kundër tij, siç i quan budallenj ata që mendojnë ndryshe nga ai dhe ata që e kundërshtojnë sepse ai nuk ka asnjë predispozitë për të dëgjuar dhe nuk është i sinqertë në komunikimin publik. Së pari, dua të them se më vjen shumë keq që kryeministri sot gënjeu haptazi gjithë shqiptarët. Gënjeu haptazi kur u përpoq të hidhte poshtë faktin shumë të trishtueshëm që Shqipëria nuk prezantoi dhe nuk fitoi asnjë projekt në Samitin e Triestes. Sot në konferencën e shtypit kryeministri tha se Shqipëria zuri vendin e dytë nga projektet që fitoi. Kjo, me keqardhje them, që është një gënjeshtër me bisht. Në Samitin e Triestes ishin prezantuar vetëm 7 projekte me vlerë 538.5 milionë euro dhe këto fonde i përfituan Bosnja-Hercegovina që përfitoi katër projekte me vlerë 241.6 milionë euro, Serbia përfitoi dy projekte në hekurudhë dhe energji me vlerë 141.9 milionë euro, ndërsa Maqedonia fitoi një projekt për korridorin e hekurudhës që lidh Maqedoninë me Bullgarinë dhe Greqinë për 152.3 milionë euro. Të gjitha këto projekte zënë vlerën 538.5 milionë euro dhe punësojnë 2150 veta në total. Shqipëria nuk prezantoi dhe nuk fitoi asnjë projekt. Në konferencën e kryeministrit, si për t’i hedhur hi syve të shqiptarëve u tha se Shqipëria fitoi projekte duke quajtur projektet që fitoi BE-ja për të asistuar Shqipërinë për të bërë projekte për të ardhmen, por vetë nuk fitoi asnjë projekt, por prezantoi që medemek paska fituar 3 milionë euro projekte. Janë 3 milionë euro asistencë e BE-së për Shqipërinë dhe nuk ka lidhje aspak me projektet që janë miratuar dje në Samitin e Triestes.
Sa i përket problemit që Rama i quan broçkulla faktin që ne nuk po hapim negociatat për integrimin dhe anëtarësimin e plotë në BE, por po diskutojmë histori të tjera për të ndërtuar një Jugosllavi të re, pa Kroacinë dhe pa Slloveninë, por me Kosovën dhe Shqipërinë brenda, sepse kjo qeveri dhe kjo elitë politike ka dështuar ta çojë Shqipërinë në Europë, ta integrojë Shqipërinë në Europë. Këta kanë dështuar dhe janë akoma duke dështuar sepse BE-ja nuk mund të tolerojë korrupsionin dhe thagmat që bëjnë këta në qeverisjen e vendit dhe standardet e papranueshme të qeverisjes së Shqipërisë dhe të institucioneve në vend. Kryeministri sot nuk tha se po na refuzojnë, por tha se BE-ja është si ai njeriu që kur ti i tregon hënën me gisht ai të tregon gishtin. Mesa duket kur ne i tregojmë Bashkimin Europian me gisht Bashkimit Europian, BE-ja na tregon gishtin ne. Për këtë çështje sigurisht që duhet të na japë përgjigje kryeministri.
Ne nuk jemi kundër bashkëpunimit rajonal, as nuk jemi kundër zhvillimit të tregtisë dhe të marrëdhënieve të mira të fqinjësisë në të gjithë Ballkanin. Padyshim që zhvillimet integruese strategjike në rajon janë të kushtëzuara dhe duhet të jenë të tilla me qëndrimin e vendeve të rajonit ndaj atyre çështjeve dhe të drejtave të mëdha të shqiptarëve, për të cilat ne jemi shumë sensibël. Pa dyshim që në zhvillimin e marrëdhënieve të Shqipërisë dhe të Kosovës me Serbinë ne mbajmë në konsideratë shumë të lartë faktin që Serbia akoma nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe kjo është shumë domethënëse për ne. Ndërkohë që nuk bëhet fjalë për marrëdhëniet e tregtisë së lirë mes vendeve të rajonit. Po të ishte fjala për marrëdhëniet e tregtisë së lirë mes vendeve të rajonit, ne këto marrëdhënie i kemi të sanksionuara që në vitin 2007 kur kemi nënshkruar me të gjitha vendet e rajonit marrëveshjet e tregtisë së lirë. Pra, në rajon ne jemi praktikisht vende që qarkullojmë mallrat pa pengesa doganore. Unë e kam theksuar edhe dje, e theksoj edhe sot, se me Ramën e kemi më të lehtë të shkojmë në Beograd sesa në Bruksel. Me këtë qeverisje dhe me këtë elitë politike e kemi më të lehtë të integrohemi me Serbinë dhe nën Serbinë se sa me Europën dhe me Brukselin.
Kryeministri Edi Rama deklaroi në konferencë se lista e zezë me 100 emra nuk ishte hartuar nga vetë ai, por nga ekipet, në një kohë që ai vijon të sulmoje dhe të paralajmërojë lista të tjera. Si i shihni këto komente?
Ai është një akt i paprecedentë, antidemokratik, antiinstitucional, antinjerëzor, shkatërrimtar për kulturën e institucioneve të shtetit. Është një veprim i paprecedentë i bërë nga vetë Rama. Sot në deklaratën e shtypit ai tha se kjo është pjesa e platformës për bashkëqverisje me qytetarët, koalicioni i bashkëqeverisjes, siç e quan ai. Është një farsë e madhe, një demagogji e madhe e gjithë platform dhe i gjithë projekti që prezantohet me tam-tame dhe më të mëdhaja nga kryeministri, si diçka inovative dhe diçka demokratike.
Të gjitha institucionet që kryejnë shërbime dhe produkte e kanë në ABC-në e punës së tyre, qofshin institucione private apo shtetërore që të bëjnë feedback me popullin dhe të reflektojnë dhe të reflektojnë të gjitha vërejtjet, shqetësimet, propozimet që vijnë nga njerëzit, nga klientët, qytetarët apo votuesit. Kështu që ky feedback normal që duhet të marrë çdo institucion është një gjë komplet tjetër dhe bën pjesë në kulturën e në procedurat elementare e normale të punës për çdo person dhe për çdo institucion që kryen shërbime dhe produkte.
Në qoftë se zotëria dëshiron të ftojë popullin në bashkëqeverisje për këtë çështje le të demokratizojë partinë e tij. Atë parti ku vetëm ai flet, është i vetmi gjel që këndon. vetëm ai përjashton, vetëm ai drejton, vetëm emëron dhe komandon dhe askush tjetër. Nëse dëshiron që të bashkëqeverisë me popullin, ai zotëria duhet t’ia njohë të drejtën popullit që të zgjedhë listat e kandidatëve për deputetë, e kandidatëve për këshilltarë e kryetar bashkie, e kandidatëve për kryeministër e President, si dhe të çdo përfaqësuesi tjetër dhe nuk do të mbajë në këmbë regjimin e partitokracisë, këtë lloj regjimi ku ai dhe dy të tjerë kanë uzurpuar qeverisjen e Shqipërisë dhe të drejtat e popullit dhe vetë i emërojnë të gjithë përfaqësuesit, vetë emërojnë qeverinë, parlamentin, grupet parlamentare, gjykatësit, prokurorët, kryetarët e këshilltarët e bashkive, çdo person që kryen funksione publike në Shqipëri. Nëse dëshiron që të bashkëqeverisë me popullin nuk duhet të vjedhë votat, siç i vjedh ato edhe sot, siç ka gjithë historinë e tij që vjedh vota bashkë me Saliun dhe PD-në në krahun tjetër, e bashkë me partitë e tjera, të cilat bashkadministrojnë zgjedhjet. Të çlirojnë sistemin elektoral të Shqipërisë nëse dëshirojnë që populli të marrë pjesë në qeverisjen e këtij vendi, duke përtërirë klasën politike, duke bërë referendume, duke miratuar kauza dhe vendime përmes referendumeve dhe nuk do t’ja bëjnë të pamundur popullin që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre apo të bëjnë referendume. Vetëm i demokratizimi i partive politike dhe i qeverisjes dhe vendosja përfundimtare e zgjedhjeve të lira të ndershme krijojnë kushte që elitat politike të përtërihen dhe shumicat të qeverisin së bashku me qytetarët. Çdo gjë tjetër pa këto është mashtrim, një farsë, një demagogji, një gënjeshtër. Ajo që bën Rama është gjueti shtrigash, linçim. Është njësoj me atë që bën me gjykatësit e prokurorët. Kush është ky? Zoti është ky që shpall të gjithë gjykatësit dhe prokurorët e këtij vendi si kriminelë, si hajdutë? Kush është ky dhe ekipi i tij qeverisës, me të cilin që administron pushtet gjithë këto vite në Shqipëri dhe që i shpall njerëzit si të fajshëm, sikur të ishte Gjykata supreme dhe Zot i këtij vendi. Jo! Nuk mund të jetë kështu! Unë nuk mund të them se s’ka gjykatës të korruptuar. Ka të tillë. Ka gjykatës e prokurorë, të cilët kryejnë dhe kanë kryer krime, ashtu siç ka zyrtarë të shtetit të korruptuar, ashtu siç ka funksionarë të administratës publike të paaftë dhe të korruptuar, ashtu siç ka ministra dhe kryeministra të kriminalizuar, që kanë kryer dhjetëra e qindra krime të rënda në qeverisjen e popullit tonë.
Nëse ka njerëz të tillë, askush nuk i jep të drejtë kryeministrit që të shpallë lista të zeza dhe të thotë ai se i bën skuadra ime këto. Këto janë qesharake. Kujt ia bën këto ai, që e trajton këtë popull sikur të ishte një vend afrikan i dorës së katërt? E trajton demokracinë e Shqipërisë në këtë farë feje! Kujt ia bën këto ai? Kështu që ato lista janë pjesë e strategjisë së tij për linçimin e njerëzve dhe për gjunjëzimin e tyre. Siç ishte pjesë e strategjisë së tij për të gjunjëzuar drejtësinë në përgjithësi, barazimi i të gjithëve dhe etiketimi i të gjithëve si kriminelë, të korruptuar, etj, etj. Vetëm organet e përcaktuara në Kushtetutën e Shqipërisë kanë të drejtën që të shpallin njerëzit apo zyrtarët të fajshëm apo të pafajshëm. Ato ekipet që dërgon kryeministri në terren, shumica e atyre njerëzve kanë shitur poste pune me lekë, shumica e atyre janë njerëz që kanë bërë dhjetëra, qindra e mijëra shkelje të rënda, abuzime, akte të korrupsionit dhe akte të dënuara me ligj, janë njerëzit e ekipit të tij. Kështu që histori të tilla duhet të marrin fund. Nëse një institucion, qoftë edhe kryeministri i vendit, vihet në dijeni të një shkelje, të një vepre penale apo krimi që ka bërë dikush, ligji e ka përcaktuar se si veprohet. I çohet për kompetencë organeve përkatëse që ta hetojnë, ta analizojnë dhe ta paraqesin në një gjykatë të paanshme dhe vetëm gjykata mund të japë vendimin kur mund ta shpallë një person të pafajshëm ose fajtor, përpara se të përfshihet në listat e zeza
(S.SH/Shuplaka)