Një javë para zgjedhjeve, mes të shkarkuarve të Administratës Publike ishte edhe Alma Jaku, drejtoresha e Postës Shqiptare.
Sot Jaku ka një letër për kryeministrin Edi Rama ku i kërkon atij t’i shpjegojë se çfarë ka kriminale tek ajo. Një letër prekëse, ku Jaku zbulon të gjitha ato që ndjen pas shkarkimit nga detyra.
“Po një ditë të bukur, ti u zemërove keq me partinë time, dhe urdhërove të shkarkoheshin gjithë drejtuesit e LSI .
U bera sigël partie , nuk kisha më vlera njerëzore as pune dhe me 4 rrjeshta qesharakë u shkarkova menjëherë nga puna, pyes veten pse nuk arrestova kur isha kaq e rrezikshme për shoqërinë ? Shumë mirë mund të më ofrohej një ulje në detyrë .
Unë jam nënë kam dy fëmijë dhe çmimi i ndershmërisë në punë janë problemet financiare në momentin që humbet punën . Më është dashur ti shpjegoj tim biri 11 vjeçar se nga puna nuk largohen veç të “këqinjtë” dhe se unë mami i tij nuk kisha bërë “gabime” . Sot e gjej veten pa punë se di ku të aplikoj. Në institucionet shtetërore jam sigël partie , në ato private Lezha nuk ofron shumë mundësi për një inxhinjer agroushqimor apo mesues dhe si nënë me fëmijë të mitur kam vështirësi persa u perket orareve.
Me thuaj i dashur Kryeministër !
Çfarë ka kriminale në mua?”, shkruan Alma Jaku.
Ish-drejtoresha e Postës shqiptare u shkarkua nga detyra me motivacionin se “nuk ishte njeri i besuar” pasi vinte nga radhët e LSI-së.
Mirëpo, përveç shkarkimit nga detyra, Jaku sjell ndërmend peripecitë që ajo ka kaluar në jetë, mes tyre edhe vdekja e djalit pas lindjes.
LETRA E PLOTË:
Zoti Kryeministër!
Çuditërisht e gjeta veten me epitetin drejtoresha e krimit dhe korrupsionit, në takimet elektorale të njerëzve të tu. Më quajtën ashtu ata që s’më njihni, veç më kthyen emrin në një logo partie dhe pse sigla ime ishte ndryshe nga e tyre unë isha krimi, korrupsioni, e keqja .
Kishte dhe socialistë të ndershëm që më dhanë kurajo: “Kështu e kanë fushatat!”
Kush jam unë ?
Një vajzë e rritur në fshat që u ngrit me forcë , shumë herë gërvishta gjunjët po qëndrova në këmbë ! Kur gjithë rinia e fshatit tim zgjodhën kurbetin une zgjodha Shqipërinë. Aq e doja dhe e dua ketë vënd sa kurrë s’desha të iki, sot nuk e di më a dua të rris fëmijët këtu!
Në 1994 dogja mundësinë e studimeve për mjekësi në Itali . Ëndërroja të isha mjeke urologe t’i shërbeja Zadrimës sime po si fëmijë që isha prej mallit u ktheva në Shqipëri. Dhe lufta e jetes sime u ashpërsua …
Luftë me mentalitetin e tim eti dhe të fshatit .
Koha u kthye pas … vajzat duhej të martoheshin ne moshën 14 vjeçare, një histeri kolektive e shoqërisë shqiptare në fshatrat e veriut pas viteve 90, ku arsimimi i femres u bë tabu. Do të duket absurde kjo por shumica e shoqeve të mija të fëmijërisë kanë fëmijë mbi 20 vjeçarë sot .
Ja dola gjithsesi mes shumë peripecive, ndryshe nga ëndrra e mjekes konkurrova për mësuesi dhe fitova si studente dite, e dija që mund të detyrohesha ta ktheja me sistemin korrospondencë, si dhe ndodhi .
Sot jam e diplomuar ne mësuesi dhe inxhinjeri agroushqimore .
Nuk isha një studente ekselente po pasioni dashuria për punën dhe njerëz me bëri një mesuese dhe drejtuese të mirë në 17 vitet e punës sime .
E urreja politikën, kisha parë familjen time që rropatej pas PS , zhgënjimet pas fitoreve ,shitja e mandatit për kryetare komune që fitoj mami im , 2 kg tritol në banesë, kërcënimet, lajmi i arrestimit për futje me armë në qëndrën e votimit për tim atë ditën që votohej ime më dhe PS-ja jote se pergënjeshtronte dhe pse ishte i pasaktë , etj. Nëna ime ka qënë dhe në listat tuaja personale për deputete, familja ime ishte një nga shtyllat e PS në Zadrimë, ato kohë kur votat merreshin me burrëri e besë e jo si sot.
Po ti i hodhe poshtë kur vendose të kandidoje nën siglën e PS kryetarin e komunës së djathtë asokohe, pikërisht atë që bleu mandatin e PS në zgjedhjet e mëparshme .
Dhe familja ime doli nga politika me një letër të drejtuar ty që nuk ju përgjigje kurrë, nuk e di nëse e more apo jo .
Në 2010 jeta ime mori një kthese. Vdekja e tim biri pas lindjes më ktheu botën përmbys, e gjeta veten në një grua depresive , obeze, pa motiv për jetën që s’doja të jetoja më. Gjithçka u bë terr, harrova tim shoq, tim bir (kisha dhe një djalë ) .
Duke parë si isha katandisur im shoq me nxiti të merresha me diçka, vetëm për të mbushur kohën. Unë s’kam qënë as jam politikane, zgjodha të aderoj tek LSI për shkak të njerëzve të mirë që njihja aty, ata të PS në qytetin tim i njihja prej familjes sime çfarë “brumi” ishin, tek PD nuk njihja askënd dhe u bëra “politikane ” .
Pas fitores se bashkisë u punësova si drejtuese në një qëndër përkujdesi, Qendra e Zhvillimit Ditor Lezhe dhe nga një institucion në hije e ngrita në një model pozitiv, sepse i vura zemrën, shpirtit dhe arrita të sjell në Lezhë sherbim model për PAK. I sollëm qytetit medalje të artë e të argjentë ndërkombëtare në Olimpikun Special, paçka se jo çdokush ka nge të merret me institucione për PAK dhe nuk është se binte shumë në sy, veç atyre që e njihnin këtë fushë. Unë e dashuroja atë punë dhe gjithçka ja dedikoja engjëllit tim të qiellit .
Po kur sofra shtrohet gjithçka shkon mirë ndodh që duhet të ikësh, dhe unë ika nga puna e zemrës për arsye politike.
Puna ime e 3 ishte Posta Shqiptare. Ishte larg natyrës sime sociale, larg botës së fëmijëve dhe pyetja ime e parë ndaj vetes ishte ç’të bëj unë me letrat ato nuk kanë shpirt?!
Pas shumë vitesh pune më ishte rrënjosur korrektesa , drejtësia në punë dhe unë smund të ndryshoja më , por dhe besoja me shpirt që Shqipëria po ndryshonte dhe njerëzit e ndershëm i duheshin shoqërisë ndaj mendoj që dhe pse se dashurova e bëra me korrektesi si punë.
Nuk mora kurrë në jetën time rryshfet për vënde pune, shërbim ndaj qytetarëve , çka e solli Postën e Lezhës në bilance pozitive , tejkalim plan , kursim shpenzimesh, asnjë dëm financiar . Normal që duhet të kesh parasyshë që posta është një instuticion me paga qesharake , kushte të vë shtira pune , shtoj dhe faktin që çdo herë që doja të merrja një vendim kundrejt një punonjësi të parregullt kisha ndërhyrje nga “lart ” dhe sikleti më i madh ishte kur ishin të PS sepse quhej sulm politik .
Gjithë vitet e punes sime nuk bëra asnjë shkarkim politik dhe mendoj që para stafit tim dhe qytetarëve isha një drejtuese korrekte pa ndikime politike .
Po një ditë të bukur, ti u zemërove keq me partinë time, dhe urdhërove të shkarkoheshin gjithë drejtuesit e LSI .
U bera sigël partie , nuk kisha më vlera njerëzore as pune dhe me 4 rrjeshta qesharakë u shkarkova menjëherë nga puna, pyes veten pse nuk arrestova kur isha kaq e rrezikshme për shoqërinë ? Shumë mirë mund të më ofrohej një ulje në detyrë .
Unë jam nënë kam dy fëmijë dhe çmimi i ndershmërisë në punë janë problemet financiare në momentin që humbet punën . Më është dashur ti shpjegoj tim biri 11 vjeçar se nga puna nuk largohen veç të “këqinjtë” dhe se unë mami i tij nuk kisha bërë “gabime” . Sot e gjej veten pa punë se di ku të aplikoj. Në institucionet shtetërore jam sigël partie , në ato private Lezha nuk ofron shumë mundësi për një inxhinjer agroushqimor apo mesues dhe si nënë me fëmijë të mitur kam vështirësi persa u perket orareve.
Me thuaj i dashur Kryeministër !
Çfarë ka kriminale në mua?
Vërtet beson se ata që janë në listëpritje për vende pune drejtuese apo administrate janë “ajka” dhe njerëzit e ndershëm ndahen sipas logove partiake?
A është e drejtë që në 2017 të ketë shkarkime politike?
Sa kosto do të ketë Shqipëria nga shkarkime pa shkaqe të justifikuara?
Kosto financiare, morale, njerëzore .
Ndoshta do të gjenden presje, pika për të hedhur balte mbi mua për këtë letër, se jam grua e përbaltem lehtë po unë e dua vendin tim dhe kjo leter e hapur shpresoj të të bëjë t’i shohësh njerëzit ndrysh , nuk jemi sigla jemi njerëz shtetas shqiptar që zgjodhëm të mos iknim .
Me zemer, Alma Jaku !
(Referencat e mia të punës mund t’i gjesh pranë Sh.S.Sh dhe Postës Shqiptare ) (D.D/Shuplaka)