Në Fier janë sekuestruar 75.5 kilogramë Cannabis Sativaa, një armë zjarri dhe 2 automjete. Në pranga t epolicisë janë arestuar 3 persona, të cilët janë: Skënder Vrenozi, 57 vjeç, Spartak Çeraj, 43 vjeç, Klaudio Hasaj, 32 vjeç.
DETAJE:
Policia e Fierit finalizon me sukses operacionin antidrogë të koduar “Pazari”. Sekuestrohen 75.5 kg Cannabis Sativa, 1 armë zjarri pistoletë, 2 automjete, 5 aparate telefoni, 1000 euro dhe 100 franga franceze.
Arrestohen në flagrancë 3 prej autorëve të dyshuar, shpallet në kërkim 1 tjetër. Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, arrestuan në flagrancë shtetasit: 1.Skënder Vrenozi, 57 vjeç, banues në lagjen “16 Prilli” Fier. 2.Spartak Çeraj, 43 vjeç, banues në lagjen “Perash”, Shkodër. 3.Klaudio Hasaj, 32 vjeç, banues në lagjen “Perash” Shkodër. Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, mbi bazën e informacioneve të mara në rrugë operative u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit antidrogë të koduar “Pazari”.
Gjatë kontrolli të ushtruar në lagjen “16 Prilli” në banesën e shtetasit Skënder Vrenozi dhe në lokalin në pronësi të tij “Gentvis”, Patos , u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 75.5 Kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa. Gjatë operacionit, bashkë me shtetasin Skënder Vrenozi, ishin edhe shtetasit Spartak Çeraj dhe Klaudio Hasaj të cilët dyshohen si bashkëpunëtor të kësaj veprimtarie kriminale. Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit E.V, 31 vjeç,(djali i shtetasit Skënder Vrenozi), u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri tip pistoletë TT me 1 krëhër dhe 5 fishekë. Shtetasi E.V u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.
Materialet proceduriale i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Neni 283/2 i Kodit Penal.