E gjelbra, portokallia, e kuqja, bluja, e verdha dhe e bardha; ngjyrat e fruta-perimeve krijojnë një gamë të gjerë me vlera të larta ushqyese dhe stina e verës është ideale për t’i konsumuar ato të gjalla, në formën e sallatave ose lëngjeve.Ngjyra e fruta-perimeve, si edhe ajo e ushqimeve të tjera, është pasojë e përbërësve me nuanca intensive, të cilat luajnë rolin e pigmenteve. Të tilla janë karotenoidet që i japin ngjyrën portokalli karotave, mangos apo kungullit, polifenolet që i japin ngjyrën e kuqe domates, antocianinet që janë shkaku i ngjyrës së purpurt te rrushi, derivatet e aminoacideve që përmbajnë sulfur e prodhojnë ngjyrën e gjelbër te brokoli, sallata jeshile dhe kështu me radhë, sipas “Living”
Secila ngjyrë lidhet me një organ të caktuar! Nëse doni të përzgjidhni duke u bazuar në mbrojtjen e zemrës, zgjidhni fruta-perimet në ngjyrë të kuqe. Nëse qëllimi juaj është mbrojtja e syve, atëherë ushqimet portokalli në të verdhë janë zgjedhja më e mirë. Fruta-perimet në ngjyrë të purpurt forcojnë sistemin imunitar ndërsa ato në ngjyrë jeshile bëjnë mirë për detoksikimin e trupit. Gjithsesi, është e këshillueshme të mbahet një dietë me të gjithë gamën e ngjyrave, ndaj një zgjedhje e mirë do të ishte konsumimi për çdo ditë i një sallate të madhe me prodhimet e stinës. Le të bëjmë tani një analizë të detajuar të ngjyrave të fruta-perimeve, si dhe vlerave ushqyese që ato përfaqësojnë.
E KUQJA (shalqinjtë, domatet, lakra e kuqe, etj.)
E kuqja tregon përmbajtjen e lartë në antocianin dhe likopen. Antocianina është e vyer për shëndetin, pasi lufton infeksionet e fshikëzës së urinës, kurse likopeni parandalon dëmtimet fizike. Ai dhe përbërës të tjerë si kuercitina dhe hesperidina parandalojnë krijimin e disa llojeve të kancerit, si ai i prostatës, ndihmojnë në uljen e tensionit, reduktojnë rritjet e tumoreve dhe nivelit të kolesterolit.
PORTOKALLIA & E VERDHA (karotat, ananasi, specat e verdhë, misri, etj.)
Fruta-perimet portokalli dhe të verdha përmbajnë sasi të lartë potasiumi, i cili ndihmon në parandalimin e sëmundjeve kardiake dhe infarkteve, betakaroten, zeaksantin, likopen, potasium, flavonoidë dhe Vitaminë C, ushqyes që ndihmojnë në parandalimin e plakjes, luftojnë kancerin e prostatës, ulin nivelin e kolesterolit dhe tensionit të gjakut e forcojnë kockat, luftojnë radikalet, ndihmojnë në ekuilibrimin e alkalinës dhe bashkë me magnezin e kalciumin forcojnë kockat.
E GJELBRA (avokado, shpargu, brokoli, spinaqi, etj.)
Fruta-perimet e gjelbra përmbajnë acid alegat që lufton disa lloje kanceri dhe ndihmon në ekuilibrimin e tensionit të gjakut. Përveç Vitaminës B kompleks dhe C, frutat e gjelbra kanë në përbërjen e tyre minerale të dobishme si hekuri, kalciumi, fosfori, betakaroteni dhe fibrat. Nëse nuk konsumoni perimet e gjelbra, shkakton dëmtim e plakje të parakohshme të lëkurës. Perimet e gjelbra përmbajnë sulforapan, indole dhe isotiocianat, të cilat sipas studiuesve mobilizojnë gjenet e mëlçisë për të krijuar përbërës që ndalojnë kimikatet e rrezikshme në trupin tonë.
BLUJA & E PURPURTA (boronicat, kumbullat, rrushi i zi, patëllxhani, etj.)
Fruta-perimet në këto ngjyra përmbajnë luteinë, zeaksantinë, resveratol, Vitaminë C, fibra, flavonoidë dhe kuercetinë, që ndihmojnë në veçanti për retinën e syrit, uljen e nivelit të kolesterolit, forcojnë sistemin imunitar, tretjen, luftojnë inflamacionet, pengojnë zhvillimin e tumoreve, sidomos në traktin e tretjes, si dhe kufizojnë aktivitetin e qelizave kanceroze.
E BARDHA (patatja, lulelakra, qepa, etj.)
Fruta-perimet në këtë ngjyrë përmbajnë sasi të vogla antioksidantësh, por janë gjithashtu të pasura në fibra dhe Vitaminë C. Veç dobisë së tyre në funksionimin e mirë të sistemit tretës, rrisin edhe rezistencën trupore, aktivizojnë qelizat B dhe T, të cilat reduktojnë rrezikshmërinë për kancer të kolonit, gjirit e prostatës, ekuilibrojnë nivelet e hormoneve dhe ulin rrezikun nga llojet e kancerit që kanë lidhje me nivelin hormonal.
(S.SH/Shuplaka)