Një ditë para betimit në Kuvend të presidentit të zgjedhur Ilir Meta, Klevi Pojana i ka dedikuar ati një letër të hapur.
Pojana shkruan përveç mirënjohjes dhe vlerësimit që ka për të dhe se lidhja tyre i tejkaloi ato të një lideri dhe disa të rinjve, që përfshihen rishtazi në politikë.
Letra e plotë:
Njeriu i njerëzve!
Të jesh një politikan është ndoshta profesioni më i vështirë, që një njeri mund të zgjedh në jetë, në radhë të parë vështirësia qëndron te misioni që kjo detyrë të kërkon, mbi çdo gjë tjetër për pengesat e risqet, që mbart ky rrugëtim jo i lehtë për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve të tu me vetëmohim dhe drejtësi.
Nisa të shkruaj duke e quajtur të qenit politikan një profesion, e befas një reflektim i çastit me bëri të kuptoj se po gaboja, po gaboja, sepse në fakt të qenit politikan mund të jetë çdo gjë tjetër përveçse një profesion.
Është më tepër një pasion, një dëshirë, një ego e lindur për të qenë i pari në vështirësi e për të soditur nga fundi ata që vrapojnë para teje në kohë të paqta e të begata.
Ngjan më së shumti me një ëndërr fëmijërie, ku ti nuk zgjedh që në fletën e bardhë të pikturosh e ngjyrosësh, por të shkruash e të hedhësh në të se ç’do të bëjë ndryshe dhe më mirë për vendin tënd e të ardhmen.
Është një histori e rrallë dashuri për të shkuarën, historinë, luftërat, heronjtë, një dashuri e verbër për tokën e të parëve e gdhendur si një skulpturë mijëravjeçare qe ti e zbulon që kur fillon të kuptosh se ç’soji e kombi i përket.
Të jesh politikan do të thotë t’i besosh e t’i jepesh artit dhe magjisë së fjalës e të jesh skllav i përjetshëm i punës dhe veprave.
Do të thotë të dish të jesh i barabartë mes të barabartëve, i thjeshtë dhe human, por dhe të kesh këllqe të marrësh mbi supe peshën e madhe të vendimeve, që diktojnë të ardhmen e vendit.
Ti, President, njeriut që i dedikohet kjo letër nga nesër do të jesh përfaqësues i unitetit të kombit, garant i Kushtetutës dhe ligjshmërisë, Komandant i Forcave të Armatosura dhe Kreu i shtetit shqiptar.
Pas tri dekadash në labirintet e politikës, ku herë ke humbur e herë ke fituar, ku të kanë sharë e të kanë dashur, ku ke gabuar e ke drejtuar, ku ke rënë e je ngritur i jepesh misionit më fisnik për të qenë zë nga zëri i shqiptarëve.
Ne e kemi të vështirë të flasim për ty sepse është sinqerisht e vështirë të tregohemi objektiv, lidhja jonë i tejkaloi ato të një lideri dhe disa të rinjve, që përfshihen rishtazi në politikë. Për ne u ktheve papritur e paditur në motivim, forcë dhe mbështetje të jashtëzakonshme.
Besimi yt tek ne, hera-herës tejkalon dhe atë tonin tek vetvetja dhe ktu fshihet sinqeriteti i vullnetit tënd për të projektuar tek ne, të rinjtë, politikën e së nesërmes dhe Shqipërinë e së ardhmes!
E di, disa thonë se për ty është vetëm një zgjedhje politike, një gjetje e goditur, ajo e të mbështeturit dhe qëndruarit pranë të rinjve, por kjo, gjykuar nga historia jote personale dhe faktet, është larg të qenit e vërtet.
Ti vërtet mund të kesh qëndruar pranë nesh dhe për një kauzë politike siç është ajo e suportit të të rinjve në politikë, por njeri si gjithë të tjerët dhe ti u ndikove emocionalisht nga qindra e mijëra të rinj, me të cilët u lidhe dhe ishe i gatshëm të bëje gjithçka mundje për t’i afruar me politikëbërjen.
Pa na njohur, pa pasur lidhje me ne, pa pasur miqësi me prindërit e të afërmit tanë, pa u ndikuar nga niveli e gjendja jonë ekonomike, i shurdhët nga çka flisnin keq apo me mosbesim për rininë, duke mbështetur fort vullnetin tonë për të studiuar e për të qenë profesionist të zotë ti u bërë garancia jonë për tu përfshirë në vendimmarrje.
Ti ishe dhe je i vetmi politikan në Shqipëri që krenoheshe e gëzoheshe si fëmijë, kur një i ri i forumit tonë performonte shumë mirë në debate, këshilla bashkiake e parlament.
Ishte si ajo krenaria e qiellit të shtatë për prindin, kur fëmija i bëhet i mbarë e i arrirë.
Për këtë e mbi të gjitha sepse ti dite të jesh i vetmi politikan në vend që i dhe hakun familjes tënde duke rritur e edukuar si pak të tjerë homolog të tu, tre fëmijë të mbarë e të edukuar, sepse arrite që të bëheshe urë dhe jo mur për hir të stabilitetit të vendit dhe proceseve shtet-formuese e zhvilluese, për thjeshtësinë dhe gjuhën që s’përmbajti asnjëherë arrogancë, për eksperiencën e përkushtimin ne vlerësojmë te ti njeriun.
Po, po njeriun. Siguria jonë se ti do jesh një një president i mirë mbështetet në faktin që ti je një njeri i mirë.
Që nuk di të biesh pre e kërcënimeve apo shantazheve, që s’je peng i biznesmenëve apo televizioneve, por që i përulesh një fëmije, që përqafon një nënë të vjetër e që i dedikon më shumë se kohën momentale, kur ajo të flet e kërkon nëpërmjet teje zgjidhje për një problem.
Dikur një plak i vjetër kur ne e ndaluam në rrugë t’i jepnim një fletëpalosje na tha se Ilir Meta është burrë, burrë i fjalës, Ilir Meta është njeri i njerëzve.
Kaq thjesht, kaq shkurt e kaq lart të ngriti me dy fjalë një burrë i moshuar për atë cka ti përfaqëson e ne do t’i qëndrojmë fjalëve të tij.
Urime dhe suksese President, qoftë një rrugëtim i suksesshëm e i begatë për vendin tonë e shqiptarët, qoftë për hajër siç i thonë një fjale malësorët!
Ne të rinjtë shqiptarë e aktivistë vullnetarë të Lëvizjes Rinore për Integrim do të vazhdojmë rrugën tonë, të fortë, të vendosur, mbështetur mbi parimet më të mira të social-demokracisë dhe vlerat tona më të vyera kombëtare për të ndërtuar Shqipërinë e së ardhmes!
Për të dhe vetëm për të ne nuk kursejm asgjë, sepse ajo është më e vyer se vet ne!
Zoti e begoftë Shqipërinë, Zoti i begatoftë shqiptarët!
(S.SH/Shuplaka)