I arrestuari për atemtatin ndasj Mishel Prelës, Miklar Tola u la dje në burg pa afat nga Gjykata e Tiranës. I akuzuari për pjesëmarrje në atentatin që iu bë 26-vjeçarit Mishel Prela, i njohur edhe me mbiemrin Manoku, nuk ka pranuar të thotë asnjë fjalë para gjykatës, shkruan “Panorama”.
Megjithatë, në seancën që u zhvillua me dyer të mbyllura, prokurori i çështjes ka prezantuar disa prej të dhënave kryesore të siguruara nga hetimet e deritanishme, në lidhje me ngjarjen. Prokurori ka thënë në seancën me dyer të mbyllura se shtetasi Miklar Tola, 32 vjeç, e ka ndjekur nga pas të dëmtuarin nga ngjarja, shtetasin Mishel Prela.
Ky i fundit mësohet se është survejuar me lëvizjet e tij në Tiranë, gjatë dy javëve të fundit prej shtetasit Miklar Tola. Prokurori ka thënë në seancë se informacionin që mblidhte nga ndjekja që i bënte lëvizjeve të Mishel Prelës, i dyshuari, Miklar Tola, ia përcillte me telefon ose verbalisht shtetasit Shkelzen Buci.
POROSITËSI U PËRGJUA
Pikërisht ky i fundit, ka qenë edhe personi që kishte marrë porosinë për kryerjen e vrasjes së Mishel Prelës. Në seancën e djeshme, Prokuroria ka treguar para Gjykatës, së tregtari Shkelzen Buci, tashmë i arrestuar për pjesëmarrje në planin e vrasjes, ka treguar se porosinë e kishte marrë nga shtetasi Ervin Zallumi.
Tregtari i arrestuar ka thënë se Zallumi i kishte kërkuar të organizonte vrasjen e Mishel Prelës, pasi donte të hakmerrej për plagosjen me pesë thika, të ndodhur në 2010 në zonën e Laprakës në Tiranë.
Në seancën e djeshme është thënë se Ervin Zallumi është takuar dy herë me tregtarin Shkelzen Buci. Ky i fundit ka pranuar se takimin e dytë me porositësin e ka përgjuar fshehurazi, nga frika se Ervin Zallumi nuk do të bënte pagesën që premtonte në dy këste, 30 dhe 50 mijë euro.
“E regjistrova se mos më dilte nga fjala, -ka treguar Shkëlzen Buci, dhe pasi qëllova ndaj Mishelit, e mora në telefon punëdhënësin, por ai kishte fikur telefonin dhe numri i tij nuk ekzistonte”, ka thënë në polici Shkelzen Buci.
Mësohet se asnjëra nga këto shuma nuk është paguar pasi më 20 korrik 2017, Shkelzen Buci e ka telefonuar porositësin Ervin Zallumi, kohë kur Mishel Prela ishte qëlluar me armë, në Tiranë. Porositësi i dyshuar i krimit nuk e kishte hapur telefonin dhe me sa duket, pagesa e premtuar për atentatin nuk ka ndodhur.
KATËR TË ARRESTUARIT
Pas prangosjes së shtetasit Miklar Tola, i cili ra në pranga i pari, Policia deklaroi se ka arrestuar edhe shtetasin Ervin Zallumi, tashmë me aktivitet në biznes, i dyshuar si porositës i vrasjes së Mishel Prelës.
Në pranga ka rënë edhe shtetasi Shkelzen Buci, tregtar, personi që akuzohet se ka marrë porosinë për vrasjen. Policia ka arrestuar edhe shtetasit Trim Hidri, 41 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i cili ka bërë të mundur largimin nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së krimit të autorëve dhe Ermir Tolën, 22 vjeç, vëllai i Miklar Tolës. Të gjithë këta persona pritet të dalin para gjykatës, ku prokuroria ka kërkuar lënien e tyre në arrest me burg.
(B.H/Shuplaka)