Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i ftuar në emisionin “Koha për tu zgjuar”, tregoi arsyet pse u rrit çmimi i ujit në Tiranë.
Sipas Veliajt me tarifat e reja që Bashkia ia ka propozuar Këshillit Bashkiak konsumatorët familjarë do të paguajnë të paktën sa banorët e Kamzës.
“Çmimi do të rritet të paktën sa për banorët e Kamzës. S’mund të paguhet uji më shtrenjtë në Bathore se sa në Kamëz. Sigurisht ai që ka pishinë të matet mirë dhe ai që vadit tokën me ujin e pijshëm. Në Paskuqan e Babrru iu intereson më mirë ta lidhin zorrën e ujit në Tiranë, uji këtu është aq lirë sa iu leverdis. Ne po flasim për 20 lekë”, u shpreh Veliaj.
Veliaj sqaroi më tej se kjo rritje po bëhet pasi Bashkia të mund të marrë kredi që të sigurojë në të ardhmen investime që e furnizojnë me 24 orë ujë Tiranën.
“Kur pati deficit financiar Berisha i tha Bankës së Shqipërisë bli hotel Dajtin, ndërsa Bashkisë së Lulzim Bashës i tha bli Lana Bregasin. Që të mbushte deficitin, Basha e la peng ujësjellësin në një bankë të nivelit të dytë. Ne na duhet të marrim një kredi në rastin e një reforme që do sillte ujë 24 orë. Duhen 220 milion euro, e pamundur të të financojë njeri kur nuk ke të ardhura”, sqaroi ai.
Veliaj theksoi se gjithë konsumatorët e kryeqytetit do të paguajnë më pak se sa kostoja e një gazete. “Nuk po shkojmë tek mesatarja e Shqipërisë, as tek Durrësi e Korça, por tek Kamza”
Sjellim në vëmendje që çmimi i ujit në Tiranë do të rritet nga 45 lek/ m3 në 65 lekë/m3 për familjarët dhe nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3 për bizneset. (J.V/Shuplaka)