Dy vjet pas krimit, autoritetet e drejtësisë në Belgjikë kërkojnë ndihmën e Prokurorisë shqiptare për zbardhjen e ngjarjes.
Bëhet fjalë për një atentati të ndodhur në Bruksel, në shtator të vitit 2015, ku humbi jetën një 45-vjeçar shqiptar, ndërsa vëllai i tij i tij mbeti i plagosur.
Vetëm pak ditë më parë, gjyqtari Ahmet Metalia nga Gjykata e Tiranës, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për t’i dhënë dritë jeshile ekzekutimit të letërporosisë belge në lidhje me këtë ngjarje.
Krahas kërkesës zyrtare për ndihmë, pala belge u ka përcjellë palës shqiptare një profil gjenetik ADN-je të autorit të ngjarjes i cili dyshohet të jetë shqiptar, si edhe gjurmët e gishtave të tij.
Autoritetet belge kërkojnë që të bëhet një krahasim mes këtyre të dhënave me të dhënat e zotëruara nga autoritetet shqiptare, me qëllim identifikimin e autorit.
Për shkak të rrobave që ka pasur në momentin e ngjarjes, i dyshuari i cili akuzohet për “vrasje” dhe “vrasje të mbetur në tentativë”, njihet nga hetuesit si “personi me xhaketë të kuqe”.
“Në datë 26 shtator 2015, në orën 08:19, në Bruksel, në rrugën “Malines” janë dëgjuar disa krisma armësh, ku një person ka mbetur i vdekur dhe një tjetër është plagosur. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se viktimë e kësaj ngjarjeje ishte Anastas Q., 45 vjeç., si edhe plagosur Artan Q., 42 vjeç. Të dy këta persona janë shtetas shqiptarë.”, thuhet në vendimin e gjykatës së tiranës, për të pranuar kërkesën për ndihmë.
Sakaq bëhet me dije se hetuesit belgë kishin gjetur një thikë kuzhine, e cila gjendej pikërisht afër dorës së majtë të viktimës, i cili me sa duket kishte mbetur viktimë e të shtënave me armë, ashtu si edhe personi i plagosur. (D.D/Shuplaka)
Discussion about this post