Gjykata më e lartë e Bashkimit Europian ka vendosur një ligj që i detyron refugjatët të kërkojnë azil në vendin e parë në të cilin hyjnë, edhe në rrethana të jashtëzakonshme, raporton BBC.
Kjo çështje e ngritur nga Austria dhe Sllovenia, mund të prekë të ardhmen e qindra njerëzve të mbërritur në bllok gjatë krizës së emigrantëve të viteve 2015-2016.
Mësohet se e gjitha kjo kishte nisur me dy familje afgane dhe një siriane që aplikuan për azil pasi u larguan nga Kroacia. Gjykata thotë se është përgjegjësi e Kroacisë të vendosë për rastin e tyre.
Kujtojmë se gjatë verës së 2015-ës, një milionë emigrantë dhe refugjatë udhëtuan përmes Ballkanit Perëndimor. Nën të ashtuquajturën rregullore të “Dublinit”, refugjatët duhet të kërkojnë azil në vendin e parë të BE-së në të cilin hyjnë.
Sipas avokatit të familjeve afgane, ato kishin hyrë në Austri me mjete transporti të pajtuara dhe organizuara nga qeveria austriake dhe qeveri të tjera. Por, ndryshe nga shumë afganë të tjerë, atyre nuk iu dha azili. Kjo sepse autoritetet austriake vendosën që të deportoheshin në Kroaci, pikën e tyre të hyrjes në BE sipas rregullores së Dublinit.
Mirëpo, dy motrat afgane e kundërshtuan vendimin e autoriteteve austriake dhe e dërguan çështjen në Gjykatën Europiane të Drejtësisë, sëbashku me një shtetas sirian në slloveni, që ndodhej në situatë të ngjashme.
BBC shkruan se gjykata vendosi që kalimi i kufirit kroat nga ana e këtyre personave duhet të konsiderohej i parregullt bazuar në kornizën e “Dublinit”. Vetëm sepse një shtet i BE lejon qytetarët jo europianë të hyjnë në territorin e tij mbi baza humanitare, ky autorizim nuk është i vlefshëm në vendet e tjera të BE-së. (D.D/Shuplaka)