Përveç rritjes së çmimit të ujit, Këshilli bashkiak miratojë gjatë mbledhjes së sotme edhe listën e atyre personave që do të përfitojnë nga zbatimi i programit social të strehimit për kreditë e buta për blerjen e një shtëpie, duke marrë përsipër të subvencionojë interesat e tregut bankar.
Në fjalën para anëtarëve të Këshillit Bashkiak, Veliaj tha se ky është një tjetër premtim i mbajtur dhe që i vjen në ndihmë shumë familjeve që e kanë të pamundur të përballojnë interesat e tregut që kanë bankat.
“Sa herë celebroj një çift një nga gjërat që më mundon është pyetja: A kemi mundësi që këtyre çifteve të reja t’u japim edhe një ndihmë shtesë përveç fotos së celebrimit, për të nisur jetën në Tiranë? Ndaj, më vjen mirë që më në fund një ëndërr që e kemi pasur bashkë para dy vitesh, kur financat i gjetëm të rrënuara, Bashkinë të falimentuar, kur thamë që në momentin parë që do shëndoshim financat, do hapim procesin e kredive të buta për të kaluar nga një situatë ku kreditë e buta u shkonin zëvendës-ministrave të këtyre që sot bëjnë sikur u hapet barku për miletin, drejtorëve të tyre, shefave, deputetëve të tyre, që hiqeshin sikur ishin me ndihmë ekonomike, kurse sot u shkon 999 çifteve të reja të këtij qyteti, si një mënyrë se si ky qytet u thotë, të trashëgoheni e jetë të lumtur në Tiranë”, u shpreh Veliaj.
Po ashtu kryebashkiaku shtoi se projekti për kreditë e buta është padyshim një nga nismat me impakt më të madh për Tiranën, jo vetëm sa i përket strehimit të familjeve të reja dhe në nevojë, por edhe në aspektin e tregut të ndërtimit dhe atij monetar.
“Më vjen mirë që i kemi lënë komisionit të shohë edhe dosjet e tjera për të pasur edhe një propozim me 500 shtesë deri në shtator”, tha ai. (S.SH/Shuplaka)