Pasi ka rishikuar me ulje rritjen ekonomike të vendit për vitet 2014-2015, INSTAT ka bërë të njëjtën gjë edhe për vitin 2016, duke e tkurrur vlerësimin nga 3.46% në 3.37%.
Ndërsa në publikimin për rritjen ekonomike në tremujorin e katërt 2016, INSTAT jepte një vlerësim për rritjen vjetore prej 3.46%, në tabelat e rishikuara, ku ka reflektuar vlerësimin final për 2014 dhe gjysmë final për 2015-n, instituti statistikor, ka rishikuar dhe rritjen për vitin 2016, duke e ulur atë në 3.37%.
Më herët gjatë këtij viti, INSTAT publikoi vlerësimet për periudhën 2014 dhe 2015, ku për të dyja treguesi i rritjes ekonomike u rishikua në ulje.
Për vitin 2014, që është vlerësim final, rritja përfundimtare është 1.77%, nga 1.83%, që ishte vlerësimi i mëparshëm.
Për vitin 2015, vlerësimi gjysmë final është 2.23%, nga 2.61% që u deklarua më parë.
Në këtë mënyrë, ky është viti i tretë radhazi, kur INSTAT, pasi merr një informacion më të plotë për treguesit, e rishikon në ulje vlerësimin e rritjes ekonomike. Tkurrja më e madhe ka qenë për vitin 2015, me gati 0.4 pikë përqindje.
Gjithsesi, tre vitet e fundit, ritmet e rritjes janë përshpejtuar, ndonëse jo sipas pritshmërive.
Kjo tendencë vijoi dhe në tre muajt e parë të vitit 2017. Sipas INSTAT, për periudhën janar-mars 2017, Produkti i Brendshëm Bruto ( P.B.B) në tremujorin e parë të vitit 201 7 vlerësohet me rritje prej 3,94 % , kundrejt tremujorit të parë të vitit 2016. Kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët : Ndërtimi me +1.00 pikë përqindje, Tregti Hotele dhe Restorante dhe Transporti me + 0,51 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me +0,51 pikë përqindje, Industria , Energjia dhe Uji me +0,50 pikë përqindje, Aktivitete Financiare dhe te Sigurimit me +0.37 pikë përqindje , Bujqësia, Pyjet dhe Peshkimi me +0,27 pikë përqindje, Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me +0,27 pikë përqindje, Pasuritë e paluajtshme me +0,03 pikë përqindje. Negativisht kanë kontribuar aktivitetet Shërbimet e tjera me – 0,01 pikë përqindje dhe Informacioni dhe Komunikacioni me – 0,08 pikë përqindje. Taksat Neto mbi produktet kontribuan pozitivisht me + 0,56 pikë përqindje./ Monitor