LSI ka përjashtuar nga grupi dy këshilltarët, Agim Krajën dhe Genta Mezinin pasi sipas tyre ata shitën votën.
“Distancohemi nga qëndrimi korruptiv i këshilltarëve. Përjashtohen nga grupi këshilltarët Genta Mezini dhe Agim Kraja. Që në zbatim të statutit të partisë të marrin masën ndëshkuese ndaj dy individëve që me papërgjegjshmërinë kishin përdorur atributet e LSI-së duke shitur votën dhe duke u bërë vegël e atyre që bëjnë korrupsion.
Duke konsideruar opozitën si mision Grupi i Këshilltarëve të LSI-së do të jetë gjithmonë në shërbim të qytetarëve “, deklaroi Eriona Bixha.
Sjellim në vëmendje që edhe pak më pak më parë Monika Kryemadhi deklaroi se të dy këshilltarët ishin të shitur dhe votuan pro rritjes së ujit të pijshëm nga Bashkia e Tiranës.
Mbrëmjen e djeshme këshilltarët e PD-së kanë bojkotuar mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Por me largimin e tyre, si edhe të këshilltarëve të LSI-së nuk plotësohej kuorumi për t’u zhvilluar mbledhja.
Mirëpo ndërkohë që këta debatonin, në sallë u rikthyen Agim Kraja dhe Genta Mezini nga LSI-ja. Bashkë me këta, numri i anëtarëve të pranishëm në mbledhjen e Këshillit shkonte në 31, duke plotësuar kështu kuorumin dhe u miratua rritja e çmimit të ujit. (J.V/Shuplaka)