Gjykata e Lartë zbardhi dje arsyetimin e vendimit gjyqësor të dënimit me 4 vjet burg të anëtares së pezulluar të kësaj Gjykate, Majlinda Andrea. Në vendimin e shpallur më 14 qershor 2017, Andrea u deklarua e fajshme për akuzën e “korrupsionit pasiv”.
Megjithatë gjyqtarja nuk përfundoi në qeli për shkak se Kolegji Penal pezulloi ekzekutimin e dënimit me burg duke caktuar për të Shërbim Prove për një periudhë 3- vjeçare.
Në një total prej 118 faqe në total, një kopje e të cilit u sigurua nga “Panorama”, Kolgji Penal, në përfundim të analizës së provave dhe dhjetëra faqeve përgjimesh telefonike, Kolegji Penal vlerësonte se gjyqtarja Andrea dhe katër të bashkëpandehurit duhet të fajësoheshin për akuzat e ngritura ndaj tyre.
Vendimi i arsyetuar nxjerr në dritë edhe një bisedë telefonike të përgjuar mes gjyqtares dhe bashkëshortit të saj, Odhise Andrea, bisedë e kryer 2 ditë pas dorëzimit të ryshfetit 50 mijë euro te ky i fundit
Nga zhvillimi i ngjarjeve në vijim, është vërtetuar se me datë 13 korrik 2016 të pandehurit Majlinda Andrea dhe Odhise Andrea janë vënë në dijeni të faktit që kishte një procedim penal të regjistruar nga Prokuroria në lidhje me ngjarjen dhe kjo ka ndikuar që i pandehuri Odhise mos t’i përgjigjet të pandehurit Petraq atë ditë në telefon, kur ky i fundit e ka marrë 6 herë.
Sipas gjykatës, më 14 korrik 2016 e pandehura Majlinda Andrea telefonon të shoqin përmes numrit të të birit. Nga biseda konfirmohet shqetësimi në lidhje me nisjen e një procedimi penal dhe porosit bashkëshortin që të bëjë më shumë kujdes me ato veprimet, sipas Gjykatës, duke lënë të kuptohet realizimi e deklarata noteriale për shumën e marrë.
PËRGJIMI I GJYQTARES ANDREA
Majlinda: Alo.
K.…: Alo?
Majlinda: Jepja i çik babit.
Kristi: Po.
(flet Odisea) E me.
Majlinda: Nigjo edhe … më kishte shkruar që, më kishte konfirmu nëpërmjet atij që e ka, që e kishte.
Odhisea: Po, po.
Majlinda: Që dosja ësht atje.
Odhisea: Po
Majlinda: Dhe që nuk ka, nuk bëhet fjal për kallzim.
Odhisea: Dhe njëher.
Majlinda: Nuk bëhet fjal për kallzim.
Odhisea: Ehe.
Majlinda: Por ka dal rastësisht nga një çështje tjetër.
Odhisea: Okej
Majlinda: Kshu që bëji ato veprimet sot me shum kujdes.
Odhisea: Mir.
Majlinda: Se ai mund t’jet, dakort?
Odhisea: Okej.
Majlinda: Hajde pra, cao.
Odhisea: Cao.
(B.H/Shuplaka)