Tifozeria është një nga armët më të forta në një skuadre futbolli dhe padyshim që dhe për korçarët e Skënderbeut ata do të jenë lojtari i 12-të në ndeshjen me çekët e Mlada Boleslavës.
Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj thotë se ndien keqardhje për faktin se skuadra e tij është e detyruar të luajë jashtë fushës ditën e enjte kundër ekipit çek.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, presidenti i klubit korçar foli për nevojën e madhe të tifozëve më 3 gusht në “Elbasan Arena” ku një fitore kualifikon korçarët në ‘Play-Off’ të Europa Leagues. Takaj ka sqaruar pse UEFA nuk i lejoi të luanin në stadiumin e tyre.
Të them të drejtën, fusha jonë është e përshtatshme për të luajtur edhe këtë tur në Ligën e Europës. Gjithsesi, atë e vendos UEFA dhe jo ne si klub. Sipas UEFA-s, janë një sërë kushtesh që nuk përmbushen, duke filluar nga muri rrethues i stadiumit, dhomat e brendshme të impiantit, por edhe salla e konferencave për shtyp”, sqaroi Takaj.
(E.K/SHUPLAKA)