Ditën e sotme 5 gjyqtarë të Gjykatës së lartë kanë dorëzuar mandatin e tyre në mënyrë vullnetare. Mes tyre bën pjesë edhe gruaja e ish guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, Arjana.
Gjyqtarët e tjerë që kanë lënë detyrën janë Aleksandër Muskaj, Guxim Zenelaj, Evelina Qirjako dhe Andi Çeliku. Arsyeja është sepse gjyqtarëve u ka mbaruar mandati 9-vjeçar.
ARJANA FULLANI
Anëtare e Gjykatës së Lartë
Ka lindur në Tiranë më 03 Shtator 1965. Eshtë e martuar dhe ka dy fëmijë. Eshtë diplomuar për drejtësi në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë në vitin 1987 me rezultate të shkëlqyera dhe në 2007 ka marrë titullin Master i Ligjeve (LLM).
Znj. Fullani ka ushtruar funksionin e Prokurores pranë sektorit të Prokurorisë së Rrethit Tiranë në vitet 1987-1992, ndërsa nga viti 1992 deri me 1994 është emëruar Gjyqtare pranë Gjykates së Rrethit Tiranë. Nga viti 1994 deri me 1995 është emëruar Gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Në periudhën 1995-1997 ka qënë Drejtore e Shkollës së Magjistraturës. Znj. Fullani ka qenë këshilltare pranë Gjykatës së Kasacionit në vitin 1997 dhe në periudhën 1997 deri ne 2000 ka themeluar dhe drejtuar Qendrën Avokatore për Gra. Nga viti 2000 deri me 2008 ka ushtruar funksionin e Drejtores së Shkollës së Magjistraturës. Znj. Fullani ka qënë pedagoge me kohë të pjesshme pranë Fakultetit të Drejtësisë në lëndët “E Drejta Civile” dhe “Procedura Civile”, si dhe pedagoge me kohë të pjesshme pranë Shkollës së Magjistraturës.
Ajo ka marrë pjesë në një sërë konferencash e trajnimesh, kombëtare dhe ndërkombëtare, në fusha të ndryshme të së drejtës si edhe në takime rajonale dhe Evropiane të qendrave të trajnimit për gjyqtarë.
Që në fillim të viteve 90 e në vazhdim ka qënë themeluese dhe/ose anëtare bordi në një sërë organizatash joqeveritare si Qendra Avokatore për Gra, Refleksione, Fondacioni Soros, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Komiteti Shqiptar i Etikës Mjekësore, Shoqata Ndëkombëtare e Gjyqtareve Gra etj.
Nga viti 2003-2008 zonja Fullani ka qënë anëtare e Komisionit të Reformës Ligjore si dhe anëtare e grupeve të punës për hartimin dhe diskutimin e ligjeve të ndryshme.
Me dekretin e Presidetit të Republikës Nr. 4873 datë 10.05.2006 i është akorduar “Medalja e Mirënjohjes”.
Në korrik të vitit 2017 ka marrë gradën shkencore Doktor i Shkencave Juridike nga Departamenti i së Drejtës Civile, Fakulteti i Drejtësise, Universiteti i Tiranës.
Me dekretin e Presidetit të Republikës Nr. 5791 datë 08.07.2008 është emëruar anëtare e Gjykatës së Lartë.
NJOFTIM PËR MEDIAN
Në zbatim të detyrimeve kushtetuese, Kryetari i Gjykatës së Lartë, me datë 29.06.2017, thirri mbledhjen e trupës së gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, në të cilën kërkoi deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarëve Aleksandër Muskaj, Evelina Qirjako, Guxim Zenelaj, Arjana Fullani dhe Andi Çeliku.
Trupa e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, pas konstatimit të plotësimit të mandatit 9 vjeçar me datë 28.07.2017 të gjyqtarëve të sipërpërmendur si anëtarë të kësaj gjykate, vendosi deklarimin e mbarimit të mandatit për secilin prej tyre.
Kryetari i Gjykatës së Lartë, me shkresën nr. 2859 datë 30.06.2017, ka njoftuar Presidentin e Republikës, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për vendimmarrjen e trupës gjyqësore të Gjykatës së Lartë lidhur me mbarimin e mandatit të këtyre gjyqtarëve, duke theksuar se, sipas ndryshimeve të reja kushtetuese, dhe konkretisht pikës 5 të nenit 136 të Kushtetutës, gjyqtari i Gjykatës së Lartë qëndron në detyrë deri në emërimin e pasardhësit.
Gjyqtari Guxim Zenelaj me datë 28.07.2017 dhe gjyqtarët Aleksandër Muskaj, Evelina Qirjako, dhe Arjana Fullani me datë 31.07.2017, në mënyrë individuale, kanë paraqitur një shkresë drejtuar Kryetarit të Gjykatës së Lartë, më të cilën e njoftojnë për dorëzimin e detyrës si anëtarë të Gjykatës së Lartë, për shkak të mbarimit të mandatit si anëtarë të kësaj Gjykate.
Lidhur me dorëzimin e detyrës nga këta gjyqtarë, Kryetari i Gjykates se Lartë, më datë 31.07.2017 njoftoi edhe Presidentin e Republikës. (D.D/Shuplaka)