Presidenti i Republikës Ilir Meta vijon takimet me zyrtarë të lartë ndërkombëtarë. Pas kongresmenëve amerikanë, Meta ka pritur në zyrë ambasadorin e Japonisë në Tiranë, Makoto Ito.
Gjatë këti takimi, Meta i shprehu ambasadorit japonez mirënjohjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve për ndihmesën e madhe e të çmuar që Japonia ka dhënë në dy dekadat e fundit, si për zhvillimin ekonomik e infrastrukturor të vendit, ashtu edhe në fushat e arsimit e të kulturës, si dhe mjedisit.
Kreu i Shtetit përshëndeti vendimin e Japonisë për hapjen e Ambasadës në Tiranë, dhe tha se tashmë janë të gjitha mundësitë që bashkëpunimi mes dy vendeve të rritet e forcohet edhe më shumë.
Presidenti Meta vlerësoi me shumë interes nxitjen e investimeve japoneze në Shqipëri, si bashkëpunimin në fushën e turizmit ashtu dhe të bujqësisë.
Në përgjigje të urimit me rastin e marrjes së detyrës së Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Presidenti Meta i dorëzoi Ambasadorit Ito një mesazh falënderimi për Perandorin e Japonisë Akihito. (D.D/Shuplaka)