Këtë verë i gjithë vendi, nga veriu në jug është pushtuar nga zjarre masive. Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj shprehet se në shumë raste, zjarret janë të qëllimshme.
I ftuar në “Ora News”, Demiraj ka deklaruar se në të gjithë vendin janë 25 qendra zjarresh. Ministri i Punëve të Brendshme shprehet se ato cënojnë sigurinë kombëtare.
“Situata aktuale e sigurisë në vend në drejtim të zjarreve nuk është aspak e mirë. Kemi rreth 25 qendra zjarresh kryesisht në Tiranë, Elbasan, Vlorë dhe Skrapar. Ky ka qenë objekt i takimit të sotëm me z.Meta në Presidencë.
Situata nuk është aspak e mirë. Presidenti i Republikës ka detyrimin që të thërrasë të gjithë krerët e institucioneve.
Kemi pasur disa zjarre para dy javëve në linjën hekurudhore Lezhë-Shkodër, pra zjarr në një trase. Dhe në rast se dëmtohet infrastruktura e transporteve kjo cenon rëndë sigurinë kombëtare. Në këtë kontekst, djegia e pyjeve 100 vjeçare, ky është cenim i sigurisë kombëtare sepse do shumë vite të rehabilitohet një pyll. Në disa zona, ka 10-15 vatra zjarresh të cilat tregojnë dukshëm që nuk janë të rastësishme, por të qëllimshme.
Shpesh herë jemi përballur me informacione nga njësitë vendore që njerëzit i vënë për të hapur toka të reja apo për të krijuar kullota, gjë që është e pa pranueshme. Numri i personave të vendosur përpara ligjit është krejtësisht minimal.”, është shprehur ministri Demiraj.
Ndër të tjera Demiraj ka pranuar se autoritetet shqiptare zotërojnë shumë pak mjete për të përballuar këtë situatë.
“E vërteta është që ne posedojmë shumë pak mjete për fikjen e zjarreve. Kemi pasur një shërbim zjarrfikës, i cili vjet është decentralizuar në bashki. Ky shërbim i pa organizuar, i pa pajisur dhe nuk ka mjetet e duhura për të realizuar misionet e duhura. Një pjesë e bashkive nuk e kanë, dhe një pjesë tjetër nuk e kanë të organizuar.”, pranon ministri. (D.D/Shuplaka)