Detaje të reja dalin lidhur me skandalin e tenderit të byzylykëve që mbajnë personat e dënuar me arrest shtëpie.
Gazetarja Klodjana Lala e ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24, ka treguar se skandali është zbuluar pasi tre të dënuar kanë arritur ta heqin këtë byzylyk nga këmba dhe të arratisen.
“Ky është rast skandaloz dhe ka ndodhur në tenderi e tretë. Personi në fjalë ka tentuar ta këpusë. Sistemi nuk po funksiononte. 3 persona të dënuar kanë arritur të dalin nga sistemi, kanë arritur të arratisen dhe t’i shpëtojnë arrestit shtëpiak, ndërkohë që aparatura ka mbetur në shtëpinë e tyre. Pra, këta tre persona që po flasim kanë arritur ta heqin nga këmba pa dhënë sinjal në serverin qendror”,-deklaroi Lala.
Ndërkohë gazetarja foli edhe për një tjetër skandal lidhur me çështjen e byzylykëve, që dëshmon se ekziston një bashkëpunim me zyrat e provës, policinë apo persona në Ministrinë e Drejtësisë lidhur me këtë fenomen.
“Para pak ditësh mora vesh një skandal, që efektivët më kanë treguar. Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur para pak muajsh, në kohën e kultivimit të hashashit. Njëri nga personat, në fakt është kapur më vonë si punonjës në një parcel hashashi. Mund të ketë raste të tjera që mund të ketë bashkëpunime brenda dhomës së provës, brenda ministrisë së Drejtësisë.”, është shprehur gazetarja. (D.D/Shuplaka)