Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 7 vatra zjarri në qarqet Tiranë, Korçë, Vlorë, Shkodër e Fier.
Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 38 punonjës zjarrfikës, 7 automjete zjarrfikëse, 45 personel nga Forcat të Armatosura të Ushtrisë, si dhe punonjës të Pyjores, të bashkive dhe qytetarë vullnetarë etj, të mbështetur nga helikopterë.
Specialistët e Emergjencave Civile, janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin.
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në Ministrinë e Punëve të Brendshme përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.
QARKU TIRANË
Vijon aktive vatra e zjarrit në fshatin Sinaballaj të bashkisë Rrogozhinë. Forcat e zjarrfikëses, të mbështetura nga forca ushtarake dhe ato të pyjores, si dhe një helikopter, kanë punuar duke izoluar vatrat e zjarrit. Vatrat e fshehura monitorohen nga forca të Pyjores. Si pasojë e zjarrit janë përshkuar rreth 20 ha me shkurre dhe pisha, nga të cilat rreth 4 ha me pisha janë djegur.
QARKU KORÇË
Janë shuar vatrat e zjarrit në pyllin me pisha në fshatin Panarit, Vithkuq, bashkia Korçë. Në aksion janë përfshirë zjarrfikësit, forcat ushtarake, si dhe forcat e pyjores, të cilat vijojnë të mbajnë në monitorim zonën. Si pasojë e zjarrit u përshkua një sipërfaqe rreth 15 ha me shkurre dhe pisha, nga të cilat rreth 1 ha me pisha janë djegur.
Në fshatin Shtyllë, Vithkuq, bashkia Korçë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me bazë ushqimore. Në vendngjarje kanë punuar zjarrfikës, forca të ushtrisë dhe të bashkisë të cilat kanë shuar vatrat e zjarrit. Si pasojë e zjarrit u dogjën rreth 3000 dengje me bazë ushqimore.
QARKU VLORË
Në fshatin Karroq, Livadhja, bashkia Finiq, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe kullota. Zjarrfikësit nuk kanë mundur të ndërhyjnë me mjete në vendngjarje për shkak të terrenit të vështirë. Banorë të zonës kanë bërë të mundur izolimin e disa vatrave të zjarrit.
Në fshatin Stjar të bashkisë Delvinë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me ullishte. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete duke shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogjën rreth 150 rrënjë ullinj.
QARKU FIER
Në fshatin Griz të bashkisë Patos, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullinj. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete duke shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 0,2 ha me shkurre dhe rreth 60 rrënjë ullinj.
QARKU SHKODËR
Në fshatin Aliaj, Kastrat, bashkia Malësi e Madhe, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me vreshta. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete duke shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 0,1 ha me vreshta.