Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, i cili është edhe kandidati për kryeministër i koalicionit PAN, kërkon që të formojë qeverinë me një numër bindës votash në parlament.
Sipas tij, kjo është edhe arsyeja se përse deputetët e këtij koalicioni nuk kanë marrë pjesë në 5 seancat e parlamentit të formuar pas zgjedhjeve të 11 qershorit.
“Kemi pasur mundësinë të kthehemi në seancë më shpejt me 61 vota, mirëpo ka lindur një mundësi e re, një situatë më gjithëpërfshirëse.
Vetë presioni i AKR-së dhe në respekt të proceseve, në respekt të kësaj mundësie i kemi dhënë kohë.
Pra, keni parasysh që nëse nuk do ti jepshnim rëndësi këtij procesi të ri, presionit të ri të AKR-së, do të ishim në punë sot, por e kemi bërë me kujdesin më të madh sepse mendojmë që është mirë ndaj proceseve të vendit.”, shprehet Haradinaj.
Kreu i AAK-së shprehet i bindur se kjo cështje do të zgjidhet shumë shpejt dhe se koha e humbur deri më tani do t’i shërbejë një përfshirjeje më të gjerë në qeverisje.
“Pra, kjo kohë që e kemi humbur deri tani, për të cilën nuk jam i kënaqur që e kemi humbur, arsyetohet me faktin se do të kemi një përfshirje më të gjerë në qeverisje. Nuk besoj që do të humbim shumë kohë në ditët që vijnë, nuk e di sa do të mundemi ta implementojmë në këtë javë që po hyjmë, mirëpo nuk do t’i humbim shumë kohë vendit”, tha Haradinaj gjatë një conference për mediat. (D.D/Shuplaka)