Disa persona të paidentifikuar kanë grabitur paraditen e sotme rreth orës 10:00, një kambist floriri dhe valute në kryeqytet.
“Shuplaka” mëson se ngjarja ka ndodhur në zonën e Kasharit, ku fillimisht dy personat e paidentifikuar ende, kanë shkuar pranë kambistit dhe i kanë thënë atij se kishin në shtëpinë e tyre flori për të shitur.
Kështu kambisti, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, ka vendosur të shkojë me automjet pas djemve të cilët donin të shisnin flori. Mirëpo, më të mbërritur në rrugën kryesore të Kasharit, afër një biznesi, dy personat e kanë futur kambistin në një rrugicë dhe e kanë grabitur duke i marrë atij rreth 2 milionë lekë të vjetra.
Burime nga policia bëjnë me dije për “Shuplaka-n” se menjëherë pas kësaj ngjarje, kambisti ka bërë denoncim në komisariatin Nr.6, në kryeqytet.
Pas kallëzimit të kambistit, policia është vënë në kërkim për të identifikuar grabitësit dhe për këtë po vëzhgojnë edhe kamerat e bizneseve përreth zonës ku ndodhi grabitja.
Në fakt, grabitjet e këtij lloji janë të shpeshta dhe kambistët janë një shënjestër e preferuar e grabitësve, për shkak të punës me florinjtë dhe me paratë. (D.D/Shuplaka)