Prag skandali në Gjykatën e Tiranës. Kryesekretarja e gjykatës dhe një sekretare janë shkarkuar nga puna dhe ndaj tyre po bëhet gati një kallëzim penal, pasi në shkelje të ligjit, kanë mbajtur në arkivin e gjykatës 300 dosje, ndaj të cilave ishte ushtruar rekurs dhe duhet të dorëzoheshin në gjykatën e Lartë.
Lajmi konfirmohet nga burime të ‘News 24’ dhe ‘BalkanWeb’, të cilat thanë se skandali doli në dritë disa javë më pare, kur sipas një kërkese të bërë prej saj, kryetarja e gjykatës është informuar nga administrata, se rreth 300 rekurse të i përkasin periudhës 2006-2015, nuk u ishin komunikuar palëve. Thuajse të gjithë vendimet kishin marrë formë të prerë apo ishin ekzekutuar duke u mohuar kështu të subjekteve fizike e juridikë të drejtën për akses në drejtësi. Pasi është vënë në dijeni të skandalit, kryegjykatësja Enkeledi Hajro, ka marrë masat duke shkarkuar dy nga punonjëset e administratës.
E kontaktuar nga ‘News 24’ dhe ‘BalkanWeb’, Hajro tha se do të depozitojë kallëzim penal në prokurori për çështjen në fjalë. Në urdhrin e shkarkimit të kryesekretares, sqarohet e gjitha situata, e cila mund të konsiderohet si një skandal i paprecedentë në drejtësi. “Rezulton se nga ana e kryesekretares nuk është vepruar asnjëherë lidhur me komunikimin e kësaj çështje zyrtarisht pranë titullarëve, që ka rekurse të prapambetura, të pavëna në veprim dhe se personat e ngarkuar nuk e kanë kryer detyrën apo kanë kundërshtuar urdhrat e kryesekretares për t’i dhënë drejtim punës.
Kryesekretarja nuk mund të vazhdojë të qëndrojë në detyrë, pasi nuk ka kryer si duhet detyrën e saj në mirëorganizimin e punës dhe funksionimin e kryesekretarisë nën drejtimin e saj, duke lejuar shkeljen e dispozitave ligjore urdhëruese, duke mohuar të drejtën e shumë subjekteve fizike e juridike për të patur akses në drejtësi, duke qenë në dijeni të plotë të problematikës nuk ka ndërmarrë minimalisht asnjë hap për të zgjidhur situatën e krijuar”, thuhet në urdhrin e shkarkimit të punonjëses së administratës.
Në shkresën e Hajros, thuhet se për shkak të moskryerjes së detyrës nga punonjësit e ngarkuar me ligj, ka sjellë dëmtim të interesave shtetërore si dhe janë shkelur të drejtave e individëve, palë në proces.
Gjithashtu kryegjykatësja evidenton faktin se është krijuar një situatë e rëndë procedurale sa i takon menaxhimit dhe administrimit gjyqësore të gjykatës më te madhe në vend, që përballon një fluks të madh çështjesh prej 30 mijë në vit. Po çfarë ka ndodhur më dosjet gjyqësore? Disa prej tyre i kanë kaluar gjykatës së lartë, të cilës i duhet të vendosë për këtë situatë të paprecedentë. Po ndërsa individëve dhe subjekteve u është mohuar e drejta, të paktën prokuroria duhet të hetojë për të zbardhur shkaqet dhe çuar përpara drejtësisë personat përgjegjës për këtë skandal.
(B.H/Shuplaka)