Gjendja e alarmit për shkak të sulmeve terroriste vijon të jetë mjaft e madhe në Europë. Një koncert roku u anulua në qytetin e Roterdamit, në Holandë, pasi pranë vendit ku do të organizohej ky aktivitet, policia zbuloi një makinë me bombola gazi.
Me sinjalizimin e policisë spanjolle, u arrestua shoferi i mjetit, me targa të Spanjës. Ai u mor në pyetje, por ende nuk ka detaje që të konfirmojnë se bëhet fjalë për një përpjekje për sulm terrorist.
Gjithsesi ajo që dihet deri tani është se koncerti i grupit amerikan Allah-Las, u anulua për shkak të një kërcënimi terrorist. Njerëzit që kishin ardhur për të ndjekur koncertin u evakuan.
Grupi nga Kalifornia ka marrë shpesh kërcënime nga besimtarë të ofenduar për shkak të përdorimit të fjalës Allah në emërtimin e bendit muzikor.
(E.K/SHUPLAKA)