Kryeministri Rama ka nisur punën pas pushimeve disajavëshe në Dhërmi. Në ambjentet e kryeministrisë Rama ka mbledhur ambasadorët e shqipërisë në vendet e tjera dhe ka vendosur theksin te ndryshimi i rolit të shërbimit të jashtëm.
Rama shpalli në këtë mënyrë dhe sfidën e re që e pret ministrinë e jashtme ku fokusi do të vendoset te roli që do të ketë shërbimi i jashtëm në ekonominë e vendit.
Rama nuk harroi që të përmendte faktin se ky problem i shërbimit të jashtëm është një fenomen i trashëguar dhe nga qeverisjet e tjera që kanë qenë para katër viteve.
“Puna e secilit që do të jetë në postin e Diplomacisë së jashtme do të matet me ndikimin që ka shërbimi i jashtëm në ekonominë e vendit.
Kam bindjen se askush këtu apo jashtë këtyre mureve sdo thoshte dot një shifër që të justifikonte eksistencën e shërbimit të jashtëm dhe të tregonte sesa ka mundur diplomacia e jashtme që të ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Pasi vendosim gjithçka në peshore shpresoj që fjala ime të reflektohet. Në harkun kohor të katër viteve e kam të vështirë që të kujtoj rastin që të kem takuar investitorë të huaj që kanë ardhur në zyrë pas inkurajimit tuaj.
Po e bëj pyetjen më të drejtëpërdrejtë, si ka mundësi që kemi qenë kaq të mefshtë apo e thënë troç kaq të leshtë për të gjetur mekanizmat e duhur, për të ndërtuar platformat që realiteti ynë, ky vend që ndryshon me muaj dhe me javë të pasqyrohet me angazhimin e vazhdueshëm jashtë kufijve tanë, ku na njohin pak, s’na njohin fare, ose na njohin keq.
Unë nuk di ta justifikoj këtë pasi edhe në katër vitet që po mbyllim ne kemi bërë një vrimë në ujë. Nuk di ta justifikoj dhe mungesën e kuriozitetit të të dërguarve tanë që të marrin shembull nga raste të tjera suksesi”, u shpreh kryeministri Rama.
(E.K/SHUPLAKA)