Pas takimit të kryeministrit Edi Rama me diplomatët, ka reaguar dhe partia e drejtuar nga Koço Kokëdhima, Zgjidhja.
Në reagimin e saj Zgjidhja, thekson se kjo është një vijë sjelljeje e papranueshme dhe e përsëritur e Ramës për të larguar fajin nga vetja edhe për dështimin e diplomacisë në këto katër vite.
“Tërbimi i kryeministrit, në një takim të përvitshëm, tregon se në çfarë derexheje ka përfunduar diplomacia e Rilindjes dhe qeverisja e saj”, thotë Zgjidhja
REAGIMI:
Kryedelenxhiu i diplomacisë së “vrimës në ujë”
Kryeministri i telendisi sot përfaqësuesit diplomatikë të Shqipërisë nëpër botë. I përbuzi ata, i etiketoi “delenxhinj”, “të leshtë”, “të avashtë”, që kishin bërë “një vrimë në ujë” dhe i paralajmëroi se edhe do t’i heqë nga shërbimi. Tërbimi i kryeministrit, në një takim të përvitshëm, tregon se në çfarë derexheje ka përfunduar diplomacia e Rilindjes dhe qeverisja e saj. Shërbimi ynë diplomatik, në përgjithësi, nuk e përfaqëson si duhet Shqipërinë dhe nuk i mbron shtetasit shqiptarë apo emigrantët tanë nëpër botë, përpiqet t’i zhvasë ata edhe për shërbimet më elementare konsullore, nuk ka negociuar dhe nuk ka sjellë asnjë investim të huaj, sado të vogël, në Shqipëri.
Edi Rama, për katër vite, i harroi në sirtar prioritetet e qeverisë së tij për diplomacinë ekonomike, marrëdhëniet e ngushta me vendet fqinje, partneritetin strategjik me SHBA-të dhe BE-në, mbështetjen e Kosovës dhe të shqiptarëve kudo që janë.
Edi Rama e rrënoi, përtej çdo imagjinate, pozitën dhe reputacionin e shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Përhapi nam të zi Shqipërisë në çdo aspekt e në çdo cep të botës. Ai u diskreditua si një karagjoz e sharlatan i pashoq edhe në politikën e jashtme. Do të mbahet mend edhe për atletet e bardha, edhe si gaztori i Ballkanit! Në mjediset dhe takimet ndërkombëtare politike e diplomatike, kryeministri ynë inferior dhe i paaftë, i argëton me barcaleta udhëheqësit e shteteve mike, meqenëse nuk është i zoti të bëjë asnjë punë me ta në dobi të Shqipërisë.
Marrëdhëniet me Greqinë, arritën në pikën më të ulët, edhe pse ajo është partnerja kryesore ekonomike e Shqipërisë dhe se atje jetojnë dhe punojnë rreth 1 milion shqiptarë.
Nën qeverisjen e Ramës, procesi i integrimit të Shqipërisë në BE ka ndalur dhe tani në vend të anëtarësimit të afërt, është në diskutim lëvizja pa viza në hapësirën Shengen, sepse vendet europiane janë tmerruar prej një qeverie që eksporton vetëm kanabis, azilkërkues, prostitucion dhe krim. Shqipërisë i është shtyrë për në “kalendat greke” procesi i negociatave për anëtarësim, duke mbetur shumë prapa Serbisë dhe Malit të Zi.
Sjellja papërgjegjshme e Edi Ramës ndaj Presidentit Amerikan, Donald Trump, gjatë kohës kur garonte për në Shtëpinë e Bardhë, e ka vënë në pikëpyetje mbështetjen amerikane për Shqipërinë, të paktën përkohësisht.
Shërbimi diplomatik patjetër që duhet të punojë për rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri dhe për rritjen e përfitimeve të Shqipërisë nga shkëmbimet ekonomike e tregtare me vendet e tjera. Por, njëkohësisht, shërbimi diplomatik nuk mund të bëhet përgjegjës në bllok për paaftësinë dhe dështimin e plotë të qeverisë për të përmirësuar gjendjen ekonomike të shqiptarëve dhe klimën për investimet e huaja private në ekonomi. Kush ambasador i veçantë mund të shpallet fajtor për politikat dhe qeverisjen totalisht të dështuar të këtij kryeministri?
Kryeministri nuk mund të mbulojë korrupsionin endemik të qeverisë së tij me dobësitë e shërbimit diplomatik. Ai nuk mund të mbulojë kapjen e qeverisë, shtetit dhe ekonomisë nga krimi i organizuar, mafia dhe oligarkia e korrupsionit, me punën e dobët të diplomatëve shqiptarë.
Ai nuk mund të mbulojë dështimin tragjik të qeverisë për të ngritur e motivuar administratë dhe institucione profesionale, të përgjegjshme, besnike të interesave të larta të shtetit dhe të popullit tonë me shërbimin e vobektë diplomatik shqiptar. Shërbimi i shpartalluar diplomatik është në vetvete një provë e qartë se ky kryeministër nuk e ka haberin e punëve të shtetit dhe nuk ka lidhje me kulturën e respektimit dhe të ndërtimit të institucioneve.
ZGJIDHJA distancohet prerazi nga denigrimi kolektiv e i turpshëm që kryeministri u bëri ambasadorëve në televizion. Ky akt i ulët dhe i papërtypshëm i tij nuk është i pari. Ai e ka bërë strategji sjelljeje poshtërimin publik e në grup të punonjësve e drejtuesve të institucioneve të shtetit dhe të administratës publike. Kjo është kulturë dhe sjellje e njerëzve të rrugës. Nuk ka asgjë të përbashkët me kulturën dhe sjelljen e një shtetari.
ZGJIDHJA e di se lumi i të sharave dhe ofendimeve banale të kreut të qeverisë shqiptare nuk do ta bëjnë më të mirë diplomacinë e Shqipërisë, nuk do të sjellin asnjë cent investime të huaja, nuk do ta lartësojnë reputacionin e vendit në sytë e ndërkombëtarëve dhe as nuk do t’i mbrojnë apo shërbejnë shqiptarët e shpërndarë anekënd botës. Ato janë pjesë e lojërave të Ramës për të manipuluar dhe gënjyer opinionin publik dhe për ta nxjerrë veten “të larë” nga gjithë mëkatet e qeverisjes së tij.
ZGJIDHJA denoncon mungesën totale të një programi qeverisës dhe të një strategjie serioze shtetërore për të ngritur një diplomaci aktive, të efektshme, shërbyese dhe ndihmuese, besnike ndaj interesave të larta të kombit tonë dhe të qytetarëve shqiptarë kudo që jetojnë, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.
#ZgjidhjaPërShqipërinë
(S.SH/Shuplaka)