Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, në përfundim të takimit që i dhuroi Skënderbeut kualifikimin histrorik është treguar shumë altruist. Tekniku kryeqytetas ia dedikoi arritjen të gjithë kolegëve të tij që nuk kanë arritur deri më sot suksese të tilla dhe punojnë në kushte më të vështira. Daja nuk nguroi të bënte edhe batuta lidhur me premion që futbollisti Osmani do të ndajë me tifozët.
“Është meritë e lojtarëve dhe mbi të gjitha e lojtarëve si Shehi. Lojtarët e mi ditën ta kthenin këtë pritshmëri në energji pozitive. Bëmë një pjesë të parë shumë të mirë me një kundërshtar shumë të fortë. Kishim një ndër ekipet më të mira në Ballkan. Janë vazhdimisht në Kupat e Europës. Por kur ke futbollistë me eksperiencë të tillë, e ke më të lehtë. Kemi bërë maksimumin në këto katër ture dhe kemi pasur realisht tre skuadra shumë të forta”.
Për pushimet pas sfidave
“Nuk kam kohë për të bërë plazh. Sot do të festojmë, por të hënën do të rinisim stërvitjen, sepse nis kampionati. Mendoj se duhet të fokusohemi në kampionat dhe këtë arritje që bëmë të mund ta shndërrojmë në një sukses të mëtejshëm”.
Dedikimi
“Ua dedikoj kolegëve që punojnë në kushte më të vështira se të miat, sepse në fakt te Skënderbeu punohet shumë mirë. Sa i përket plazhit, po i them se kemi vetëm tri ditë kohë dhe janë shumë pak. Nuk kam kohë për plazh”.
Premio e ndarë me Osmanin
“Nëse Osmani më dokumenton ndarjen e premios me tifozët, unë do ta mbaj fjalën dhe do ta ndaj shpërblimin me Osmanin. Vështirësia më e madhe ishte që të ruanim qetësinë dhe përqendrimin, por ia dolëm”- deklaroi Ilir Daja për “Supersport”. (B.H/Shuplaka)