Pas letrës tonditëse të Merita Bamës të publikuar te NismaThurrje policia ka filluar menjëherë punën. Policia ka kryer disa tentativa për kapjen e tij në zonën ku dyshohet se qëndron i fshehur, ish-burri i saj Agim Doçi pasi akuzohet nga ish gruaja se tenton ta vrasë.
“Ndërkohë ftojmë këdo që ka informacion në lidhje me vendndodhjen e shtetasit Agim Doçi, 55 vjeç, banues në Fushë Krujë, të telefonojnë falas në 129.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Për shtetasen është ofruar ndihma policore si për çdo rast tjetër dhe këto denoncime trajtohen me shumë përgjegjësi. Edhe në takimin e një dite më parë Drejtori Çako u ka kërkuar drejtuesve vendorë të trajtojnë me shumë seriozitet problematiken e dhunës në familje.
Sjellim në vëmendje që gruaja ka bërë publike edhe fotografinë e ish-bashkëshortit për të cilin thotë se e ka dhunuar duke e goditur me levë në rrugë. Duke patur frikë se mund të ketë të njëjtin fat si gjyqtarja e ndjerë Fildes Hafizi e cila u vra në mes të Tiranës nga ish-bashkëshorti, gruaja ka apeluar për ndihmë.
Letra e Merita Bramës:
Nisma përshëndetje. Quhem Merita Brama dhe dua ti bëj nëpërmjet jush një apel gjithë strukturave të shtetit dhe shoqërise sepse jam e rrezikuar për jetën, unë dhe fëmijët e mi.
Unë jam ndarë nga im shoq në maj sepse ai ishte i dhunshëm. Nuk mund ta duroja më. Mbas vitesh dhune e vendosa dhe u largova me fëmijët. Pasi u ndamë, në mëngjesin e 15 korrikut, në orën 6, burri më ka zënë pritë teksa shkoja në punë dhe tentoi të më vriste me levë. Kam ngrënë mbi 40 goditje levash në kokë dhe gjithë trupin dhe një Zot e di si munda ti shpëtoj e të largohem prej tij. E larë në gjak kam shkuar në komisariat ku më ka rënë të fikët dhe jam zgjuar në spitalin e traumës. Aty ka ardhur prokuroria dhe më ka marrë kallzimin por ju desh 1 muaj e gjysëm që ta shpallnin personin në kërkim. Ndërkohë ai fshihet te të afërmit e tij dhe me con kërcënime nëpërmjet vëllezërve të tij se do më vrasë edhe mua dhe fëmijët. Fëmijët janë me mua, njëri rri gjithë ditën e më ruan teksa tjetri punon. Jam shumë e frikësuar. Nuk dua ta pësoj si Fildesi që iku nga kjo jetë. E dua jetën dhe nuk kam bërë asnjë faj që të ma marrë dikush. I dua fëmijët dhe duam të jetojmë të qetë. Policia, prokuroria as që na dëgjojnë. Kam kërkuar urdhër mbrojtjeje, asgje. Askush nuk na i vë veshin dhe ndaj ju drejtuam ju që ndoshta duke e bërë publike, shumë njerëz solidarizohen dhe shteti reagon e na mbron. Ky në foto është ish burri im, Agim Isuf Doçi, njeriu që do të na vrasë. I cili eshtë betuar se nëse nuk na vret, nuk gjen paqe.
Ju lutem na ndihmoni! (J.V/Shuplaka)